Sonatë për gruan e një tjetri, Henrik S.G fiton çmimin e madh të letërsisë

20.12.2018 22:23:33

Chère madam De Laduset, ma chère Charlotte! Ju lutem, mos më gjykoni tani, jo tani me sedrën tuaj të lënduar! Lëreni kohën të rrjedhë dhe ndoshta, ndonjëherë, me shpirt të lehtësuar do të ndieni pak keqardhje për mua. Në degëzimet e pemës sime gjenealogjike, kam zbuluar se jo një herë burrat paskan qenë marrosur nga dashuria për gruan e një tjetri. Por askush prej tyre nuk qenka vetëvrarë, nuk paska qenë në kulturën e stërgjyshërve të mi Le Suicide! Edhe mund ta kisha ndryshuar rrjedhën e historisë së familjes sime. E pata menduar edhe këtë mundësi, atëherë kur më ra rrufeja në kokë. Por as besimi prej katoliku nuk më vlejti për këtë rast. Nuk mund të prisja një shekull për t’u takuar në botën tjetër me gruan, pa siluetën e së cilës unë nuk jetoja dot as edhe një ditë. Dhe ky është mallkim, apo jo? Ne jemi burra të fuqishëm për të luftuar, për të bërë politikë, për të shtuar pasuritë e të parëve tanë. Por jemi aq të dobët para gruas që na pushton shpirtin… Lamtumirë!

Guyane, 8 janar 1985

Rreshtat e mësipërm janë marrë nga romani “Sonatë për gruan e një tjetri” me autor Henrik S.G, I shpallur si autori I vitit nga Ministria e Kulturës në çmimet Kombëtare të Letërsisë. Ky është trofeu I parë për Henrik S.G, I cili është pritur mirë në debutimin e tij me këtë roman më parë edhe nga kritika. Ai ka lënë pas autorë si Kim Mehmeti, Stefan Capaliku, Entela Tabaku dhe Adriatike Lami. Çmimi Kombëtar për përkthimin më të mirë I ka shkuar Aida Baros për përkthimin e Primo Levit “Armëpushimi”. “Armëpushimi” është historia e një marrëzie kolektive, e një ligësie, e një budallallëku të pabesueshëm, si edhe e një naiviteti njerëzor, e një shpirti, mirësie, kokëfortësie dhe natyre të zakonshme të fatit kombinuar me sipërmarrjen. Ky është më shumë se një reportazh: është përjetimi i llahtarit në një prozë lirike e të ngjeshur. Në fund të fundit, mbetet një libër që ngre jetën në kult, sepse zgjeron horizontet, në vend që t’i eklipsojë: përforcon dëshirën për të jetuar mirë dhe ndershmërisht. Të frymëzon mirësi. Këto dy çmime u vlerësuan nga një juri në përbërje të së cilës ishin Parid Teferiçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Alma Mile, Olimbi Velaj, Agim Baçi dhe Albert Gjoka.