Sot votimi për shkarkimin e Metës, PS testi i unitetit për votat brenda deputetëve të saj

09.06.2021 09:30:16

Parlamenti do të zhvillojë sot seancën e posaçme për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Nismën e dytë për rrëzimin e presidentit Ilir Meta socialistët kësaj here janë më të vendosur për ta çuar deri në fund, duke e votuar në një seancë parlamentare. Ndryshe nga nisma e parë maxhoranca e fali Metën.

Për votimin e raportit për shkarkimin e presidentit Parlamentit i nevojiten 94 vota. Socialistët kanë mbi 80 vota në Parlament, ndërsa pjesën tjetër të votave do t’i duhet ta gjejnë te opozita parlamentare.

Ky votim përbën edhe si një prove për vetëm socialistët. Një pjesë e tyre janë të pakënaqur për shkak se janë shmangur dhe nuk janë rizgjedhur. Mbetet për t’u parë nëse do të jenë sot në seancë, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj apo Ditmir Bushati. Xhafaj ka qenë një ndër deputetët që nuk ka preferuar të firmosë nismën e dytë për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit.

Nëse votohet Meta do të jetë presidenti i parë në historinë e pluralizmit shqiptar që shkarkohet. Pas këtij votimi, fati i Metës do të jetë në dorën e Gjykatës Kushtetuese, institucionit që i duhet të argumentojë nëse qëndrojnë 16 akuzat e renditura nga komisioni i posaçëm hetimor.