Spanjë, arrestohen 4 shqiptarë me 86.2 kg kokainë

21.05.2018 19:30:25

Autoritetet policore spanjolle kanë shkatërruar një tjetër organizatë të drejtuar nga shqiptarë. Janë 86.2 kilogramë kokainë të sekuestruara nga Policia e Malagas në Benalmadenë. Gjatë operacionit u prangosën një çift 24 dhe 25-vjeçarë si dhe dy persona të tjerë të moshës 38 dhe 27-vjeç. Ende nuk bëhen me dije identitetet e të ndaluarve. Mësohet se këta persona udhëtonin në dy automjete të ndryshme në momentin e arrestimit.

Çifti kalonte para me një makinë tip “SUV”, për të kontrolluar nëse kishte patrulla policore ndërkohë pas vinte makina tjetër me lëndën narkotike ku ndodheshin dy shqiptarët e tjerë.

Sapo makina e parë telefonoi bashkëpunëtorët të ktheheshin pasi kishte postblloqe, ndërhyri policia. Gjatë aksionit këtyre shtetasve iu sekuestruan edhe një sasi prej 1.900 eurosh cash, dy automjetet e përdorura për aktivitetin kriminal, dhe tetë telefona celularë.