“Specialja do ta ndryshojë skenën politike”

05.07.2017 11:17:22

Zyra e Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman, që nga dita e sotme mund të fillojë me ngritjen e aktakuzave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Kjo meqë para 7 ditësh (28 qershor) Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese shpalli aktvendimin pozitiv për rregullat e rishkruara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Gjykatës Speciale. Me këtë rast u bë e ditur se këto rregulla janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Avokati Tomë Gashi ka vlerësuar se me aktivizimin e Gjykatës Speciale do të ndryshojë rrënjësisht skena politike në Kosovë.

“Nëse formohet Qeveria e Kosovës dhe ndonjë zyrtar i lartë i Qeverisë apo i partive politike arrestohet nga Gjykata Speciale, kjo do ta ndryshojë skenën politike në Kosovë”, ka deklaruar Gashi.

Ai më tej ka thënë se deputetët, të cilët e kanë votuar Gjykatën Speciale e që mund të akuzohen, e kanë ditur se ajo do të funksionalizohet herëdokur. Andaj, sipas tij, askush nuk duhet të befasohet nga aktakuzat.

“Nëse ngrihen aktakuzat ndaj zyrtarëve të lartë politikë, posaçërisht ndaj atyre që e kanë votuar vetë Gjykatën Speciale, atëherë ajo është çështje e tyre. Ndërsa besoj që deputetët e Kuvendit kur kanë votuar për Gjykatën Speciale është dashur ta dinë se do të funksionalizohet. Kështu që, askush nuk duhet të jetë i befasuar në momentin kur akuzat bëhen publike”, ka nënvizuar Gashi për “Zërin”.