SPRTK e shqetësuar me mënyrën si po tentohet të zgjidhet drejtori i RTK-së

16.04.2019 13:58:24

Sindikata e Pavarur e RTK-së është shprehur e shqetësuar me mënyrën se si po tentohet të zgjidhet drejtori gjeneral i RTK-së. “Presioni për të votuar me vota të hapura nuk shpjegohet ndryshe përveç se përpjekje për manipulim të procesit. Gjithashtu zvarritja e votimit po bëhet me qëllim të rritjes së presionit ndaj disa anëtarëve të Bordit që të votojnë kundër bindjeve të tyre”, thuhet në njoftimin e SPRTK-së. SPRTK i ka ftuar anëtarët e Bordit që të mos dorëzohen para presionit dhe shantazhit, dhe të gjitha këto t’i bëjnë publike. “SPRTK kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të angazhohen që RTK ta ketë një Bord të Pavarur, profesional dhe të pandikuar në punën e tyre. Më shumë se asnjëherë më parë kjo do të mund të realizohet tani, pasi që pothuajse gjysma e Bordit të RTK-së janë në proces të rizgjedhjes”, thuhet më tej në reagim. Në muajin mars, Bordi i RTK-së pati shpall konkursin për drejtor tre muaj pas dështimit të konkursit paraprak. Konkursi i parë ishte anuluar pasi vetëm dy nga pesë kandidatët që kanë konkurruar i kanë plotësuar kushtet e përcaktuara në konkurs. Edhe pse me Ligjin për RTK-në dhe me statutin e saj parashihet që në rast të dështimit të konkursit, Bordi duhet që të rishpallë konkursin, një gjë të tillë Bordi nuk e kishte bërë për rreth 3 muaj. Këtë veprim Bordi e kishte arsyetuar duke thënë se kandidatët që kanë aplikuar në konkurs kanë bërë ankesë dhe se janë në pritje të përgjigjeve nga Inspektorati i Punës.