Sqarim të njohurit tim të vjetër, Rexhep Kastratit

25.12.2016 16:07:04

Nga Milazim KRASNIQI

Në komentin “E vërteta e ndarjes së Mitrovicës” kam komentuar situatën absurde që e rishfaq ndër ne nga ngritja e murit ndanë Urës së Ibrit: Serbia e bën provokimin e radhës, në kuadër të diversisoneve serike kundër shtetit të Kosovës, ndërsa shqiptarët akuzojnë veten, ose fajësojnë njëri-tjetrin. Natyrisht, për ta argumentuar se projekti i ndarjes nuk ka autorësi shqiptare, po ka autorësi ruso-serbe, kam sjellë dëshminë e Marti Ahtisarit, të kohës kur krahas bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, zhvillohej procesi diplomatik për gjetjen e një zgjidhje politike për Kosovën. Procesi udhëhiqej nga zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Strob Tallboti, në koordinim me emisarin rus, ish-kryeministrin Viktor Cernomyrdinin dhe presidentin e Finlandës, Marti Ahtisarin. Dëshmia e Ahtisarit është se në ato ditë, prapa shpinës së tyre, u farkua plani ruso- serb për ndarjen e Kosovës, që u shoqërua me zbarkimin e forcave ruse nga BeH në aeroportin e Prishtinës.

Pra, në këtë koment të shkurtër, nuk jam marrë me gjithë historinë e planeve dhe projekteve për ndarjen e Kosovës, sepse kjo punë do të kërkonte të shkruhej një libër i tërë. Për disa prej tyre, që nga Elaborati i Vaso Cubrilloviqit, Projekti i Ivo Andriqit, projekti i Savo Moleviqit, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, etj. kam shkruar në raste e kontekste të ndryshme. Disa nga komentet dhe analizat e tilla i kam përfshirë edhe në librat publicistikë. Thënë thjesht, qëndrimet e mia janë shumë publike për këtë tematikë.

Poashtu, kam shkruar një seri tekstesh per rebelimin anarkist e antishqiptar të vitit 1997. Kam shkruar edhe kundër takimit të Kretës e protagonistëve të saj (Nanos e Millosheviqit) sikundër që kam kam shkruar jo pak tekste edhe kundër stalinistëve shqiptarë të Kosovës, që me dogmatizmin e tyre e kanë dëmtuar rëndë lëvizjen tonë për pavarësi.

Por, analisti Rexhep Kastrati, një i njohur imi i vjetër, më paskësh qortuar pse e kam trajtuar çështjen e murit dhe projektit ruso-serb të ndarjes së Kosovës, pa i ngarkuar me kusure akterët shqiptarë, që marrkan pjesë në realizimin e planit. E para, unë nuk i di, sepse nuk kam informata të klasifikuara. E dyta, pavarësisht kush kontribuon në të, plani mbetet me autorësi ruso-serbe, për çka sa kuptova, edhe Rexhepi është dakord, që ai plan ekziston. Pra, kushdo dhe në çfarëdo forme që kontribuon në realizimin e atij plani dhe në dështimin e shtetit të Kosovës, inkuadrohet në skemën ruso-serbe.

Sa i përket përgjegjësisë së liderëve dhe elitave shqiptare lidhur me gjendjen e Mitrovicës, veriut dhe mbarë Kosovës, vërtet është tjetër temë dhe kërkon tjetër qasje. Kam shkruar jo pak tekste edhe në këtë temë dhe veçmas për problemin e Mitrovicës, por kurrë nuk janë marrë para sysh. Ndërsa, në tekstin për të cilin më qorton Rexhep Kastrati, këto aspekte thjesht nuk janë trajtuar. Prandaj nuk arrij të kuptoj pse më kërkon llogari për gjera që nuk janë në tekst. Po ta shkruanim tekstin bashkë, si bashkautorë, do të mund ta plotësonte me idetë e veta, por kështu si është teksti im, tekst autorial, ai bartë vetëm qëndrimet e mia. Kjo lloj kërkimlogarie e Rexhepit kalon në konspiracion, kur dyshon se “mos ka frikë se helbete po del edhe emri i tij në ndonjë qoshe të këtij debati?” Dëshiroj që të njohurit tim të vjetër, Rexhep Kastratit, t’ia heq tuten që paska për këtë punë: kurrë emri im nuk do të dalë në aso debatesh e aso planesh. Ama bash kurrë. Nuk do të dalë sepse kurrë nuk kam bërë ndonjë veprim në kundërshtim me projektin shqiptar për pavarësinë e Kosovës. Kam qenë dhe kam mbetur fanatikë në këtë kuadër, natyrisht edhe duke qenë vërtet bashkëpunëtor i afërt dhe lojal i presidentit Rugova, besimin e të cilit nuk e kam shpërdoruar kurrë.  E kundërta është e vërtetë: për shkak të afërsisë dhe lojalitetit ndaj tij, kam pasur zavalle serioze nga stalinistët shqiptarë. Në forma të ndryshme, ato pasoja i vuaj ende.

Në librin tim tashmë të përfunduar, “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”, kam sqaruar edhe gjithë raportet tona. Natyrisht, duke përfshirë edhe keqkuptime e hatërmbetje, deri në largimin tim nga LDK-ja në vitin 2000. Por, edhe pas daljes nga LDK-ja kam vazhduar ta mbrojë me gjithë fuqinë time intelektuale projektin e pavarësimit të Kosovës, gjë që e bëj edh sot. Me atë shqetësim e kam shkruar edhe tekstin “E vërteta e ndarjes së Mitrovicës”, pra, jo për të fshhsur ndonjë gjë, sepse nuk kam çka fshehë, po për të zbuluar rrezikun real të ndarjes së Kosovës përkatësisht dështimit të shtetit tonë, sepse sponsorët e këtij projekti, Rusia e Serbia, përditë do të bëhen më të tmerrshëm. Cdo gjë tjetër që më mvishet nga kushdo në këtë mes, është e pavërtetë.

25 dhjetor 2016