Stoltenberg: NATO dhe Trump bien dakord për dialog me Moskën

31.01.2017 15:42:58

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe NATO ndajnë të njëjtin qëndrim se dialogu me Rusinë, duke nisur nga një pozicion më i favorizuar është i nevojshëm, pohoi sot Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg.

Presidenti i ri amerikan ka tronditur aleatët evropianë duke mbajtur një linjë më të zbutur kundrejt Moskës, duke rivënë në pikëpyetje angazhimin e Uashingtonit, kundrejt një aleance që ai e ka cilësuar “të vjetruar” dhe si një barrë e padrejtë për kontribuuesin amerikan.

Por Stoltenberg deklaroi se gjatë bisedave të fundit me Donald Trump dhe me sekretarin e ri amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, që të dy më kanë përcjellë të njëjtin mesazh, duke bërë të ditur se SHBA-ja do të ruajë të njëjtin angazhim kundrejt NATO-s dhe lidhjes transatlantike.

“Mesazhi i administratës së re është se ata dëshirojnë gjithashtu një dialog me Rusinë, por nga një pozitë më e favorizuar”, deklaroi për median Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut në përfundim të një takimi në selinë në Bruksel të NATO-s, me presidentin e ri bullgar, Roumen Radev.