Stop ndotjes: Energjia e ripërtritshme shpresë për Kosovën

16.03.2019 22:50:31
Kosova edhe sot 20 vite pas luftës ka probleme me energjinë elektrike.

Burimet e konsumueshme të energjisë përveç që nuk janë të sigurta për periudha afatgjata, ato janë edhe ndotëse dhe të rrezikshme për ambientin.

Termocentralet e Kosovës, e sidomos Kosova A është duke funksionuar me filtra të vjetër të cilët prodhojnë tym dhe pluhur të rrezikshëm për shëndetin.

Ndërsa gjatë këtij viti, sipas një deklarate të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka pritet të ndërtohet termocentrali i ri, Kosova e Re.

Por, sa po mendon Kosova që të fillojë implementimin e energjisë së ripërtërishme dhe sa është e mundur kjo në Kosovë?

Lajmi.net ka intervistuar Besfort Kosovën, hulumtues në “Balkan Green Foundation”, organizatë që merret me evokimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimorë, energjisë së ripërtritshme dhe mbrojtjes së mjedisit.

Kosova për lajmi.net ka treguar sa është e rëndësishme ngritja dhe funksionalizimi i energjisë së ripërtritshme për Kosovën.

Ai është shprehur se në Kosovë edhe pse ka mundësi dhe potencial të madh për shfrytëzimin e burimeve të ripërtritshme direkt në prodhimin e energjisë elektrike, po bëhet progres shumë i ngadaltë.

Lajmi.net: Sa është e rëndësishme ngritja dhe funksionalizimi i energjisë së ripërtritshme?

Besfort Kosova: Kosova si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë ka marrë përsipër një numër të obligimeve, njëra ndër këto obligime është që Kosova deri në vitin 2020 të arrijë cakun e së paku 25% të energjisë së ripërtërishme në miksin e saj total energjetik. Kjo politikisht është me rëndësi në rrugën tonë të integrimit evropian. Deri më tani ky numër vlerësohet se ka arritur diku në rreth 18% nëse përfshihet shfrytëzimi i biomasës – apo drurit të zjarrit në shfrytëzimin e gjithëmbarshëm të energjisë në vend. Bio-masa, druri për zjarr apo edhe peleti edhe pse kategorizohen si energji e ripërtërishme, mënyra se si ato përfitohen në Kosovë, me prerje sistematike dhe pa plan të pyjeve ndikon jashtëzakonisht keq në pyjet dhe natyrën e vendit dhe është praktikë aspak e qëndrueshme.

Në relacion me prodhimin e energjisë elektrike direkt prej burimeve të ripërtërishme, ndonëse Kosova po shënon progres të ngadaltë, përqindja e pjesëmarrjes së energjisë së ripërtërishme është shumë më simbolike. Diku vetëm 3.5% e energjisë elektrike në vend prodhohet nga burimet alternative, ndonëse mundësitë janë shumë më të mëdha sepse ekziston një potencial shumë i madh dhe i pashfrytëzuar, por edhe i leverdishëm ekonomikisht.

Rëndësia e ngritjes së burimeve alternative të energjisë janë të shumëfishta – ofrojnë energji relativisht të pastër në relacion me mjedisin, nuk bëhet lirimi i ndotësve të shumtë në ajër, ujë dhe në tokë, nuk rrezikojnë zhvendosjen e fshatrave dhe vendbanimeve të tëra, nuk degradojnë toka në sipërfaqe të mëdha. E rëndësishme tjetër është që reduktojnë kërkesën për energji elektrike nga burimet tjera të dëmshme sidomos atyre që lirojnë gazra serrë e të dëmshme në atmosferë, ruajnë resurset tona natyrore, përmirësojnë shëndetin e popullatës, ngrisin ndërlidhshmërinë me shtetet tjera dhe sistemet tjera energjetike ku edhe mund të eksportohet teprica e energjisë, por mbi të gjitha edhe krijon punësim më tepër sesa në format e zakonshme të prodhimit të energjisë.

Lajmi.net: Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet (nëse ka) të përdorimit të burimeve të kësaj lloj energjie dhe të vet energjisë së tipërtritshme

Besfort Kosova: Sikurse çdo aktivitet tjetër njerëzor edhe prodhimi i energjisë nga burimet alternative të energjisë i ka sfidat dhe ndikimet e veta në mjedisin përreth. Sidomos problematike paraqitet ndërtimi i hidrocentraleve në zona të mbrojtura natyrore, në parqe kombëtare apo edhe në vende ku mund t’i pengojnë banorët në qasje të ujit e të pengimit të zhvillimit të aktiviteteve të tyre. Energjia solare mund të shfrytëzoj tokën e rëndësisë së veçantë bujqësore, por këto janë probleme të zgjidhshme lehtë me menaxhim adekuat dhe me organizim të duhur. Në të cilat nëse nuk ndërhyhet me kohë është vështirësi riparueshëm dëmi mandej edhe mjedisi degradohet shumë. Rrjedhimisht së fundi në Kosovë po mendohet të kalohet kuota e energjisë së ripërtëritshme nga hidro-energjia në atë të erës dhe solare. Deri më tani në Kosovë është përdorur mekanizmi i kuotave të caktuara për të stimuluar energjinë e ripërtëritshme dhe janë paguar tarifa nxitëse, të cilat kanë ndikim në çmimin e përgjithshëm të energjisë tek konsumatori fundor, por me ndryshimin e teknologjisë me përparimin e mëtutjeshëm të saj tani po shikohet mundësia reale që të kalohet në ankande. Si formë më e përparuar dhe më e qëndrushme sesa tarifat nxitëse.

Një sfidë është paparashikueshmëria e erës dhe diellit apo edhe e të rreshurave, që ndikon direkt në prodhimin e energjisë, porse Gjermania është një shembull i shkëlqyer i teknologjisë së ripërtëritshme dhe aftësisë së modelimit të përafërt, që e zbutë shumë paparashikueshmërinë. Gjermania është një shembull ideal për Kosovën, ku edhe ata janë lider botëror në Energieëende – apo Tranzicionin e Energjisë, në drejtim të së cilës duhet të shkoj jo vetëm Kosova por edhe e tërë bota.

Kostoja e lartë tani më nuk është një disavantazh ngase teknologjia po bëhet gjithnjë më e lirë dhe më e qasshme.

Avantazhet e BRE-ve mund të katergorizohen në shumë sfera, por mbi të gjitha ato që mbizotërojnë janë ekonomike. Teknologjia për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet alternative po përmirësohet gradualisht ndërsa çmimet po bien nga dita në ditë dhe ato po bëhen më të lira se format konvencionale të prodhimit. Tanimë këto janë të levërdisshme edhe për bizneset e shtëpitë që t’i instalojnë panelet solare, sepse çdo kilovat orë energji që prodhohet nga to mund të kthehet në rrjet dhe kështu të kursehet një sasi e madhe e energjisë nga fatura. Në Kosovë ende nuk mund të shitet energjia nga prodhuesit e vegjël tek KEDS vetëm mund të shkëmbehet KËh me KËh.

Aspekti ekonomik, kursimi i energjisë elektrike, por mbi të gjitha edhe punësimi dhe vlera e shtuar në ekonomi, bëjnë që këto të jenë gjithnjë e më atraktive. Tani më shumë biznese posaçërisht po i shfrytëzojnë këto forma, qoftë për vetë-konsum qoftë për ulje të faturave të tyre të energjisë elektrike. Ndryshimet teknologjike do të jenë të atilla që këto do të revolucionarizojnë përgjithmonë prodhimin dhe vetë strukturën e sistemit energjetik në të ardhmen sepse janë forma shumë të qëndrueshme.

Lajmi.net: Sa ka Kosova kapacitet për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme?

Besfort Kosova: Kosova nuk është në gjendje për momentin apo në të ardhmen e afërt, që të mbuloj tërë kërkesën e saj të energjisë qoftë energjisë totale të shfrytëzuar në vend apo vetëm asaj elektrike nga burimet e ripërtërishme, por gradualisht me një sistem më të zhvilluar të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, së bashku me ndërlidhshmëri më të madhe rajonale kjo do të jetë e mundur në të ardhmen. Përpos kufizimeve gjeografike, mungesa e lumenjve të mëdhenj për të prodhuar energji hidrike në shkallë të gjerë, shkakton kufizime. Por sidoqoftë, Kosova energjinë solare e ka me bollëk të madh dhe të pashfrytëzuar. Kosova shumë pak e ka të përfshirë energjinë e ripërtërishme në portfolion e saj të prodhimit të energjisë elektrike që është për së tepërmi e bazuar në thëngjill. Na energjia e ripërtërishme në sistem deri më tani kemi të instaluar dhe operacionale rreth 9 MW energji solare, energji të erës kemi 33.5 MW kurse ajo hidrike është rreth 88 MË. Niveli aktual i shfrytëzimit është shumë i ulët në raport me potencialin që ekziston.

Nëse e shikojmë listën e përgjithshme të të gjithë aplikuesve në Zyren e Rregullatorit të Energjisë – ZRrE, shohim se total aplikime për Energji diellore janë 109.3 MW, për energji të erës 383.4 MË, ndërsa për energji hidrike total 110 MË. Kur të gjitha këto projekte të përmbyllen e që pengesë për to është edhe sistemi burokratik në vend. Kosova do t’i ketë 602.7 MW energji alternative të instaluar, kjo do të mundësoj në të ardhmen që një pjesë relativisht e madhe e energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme të prodhohet në vend, aq sa do të bënin që Kosova A të mos jetë me e nevojshme. Por edhe me një shkallë të lartë të efiçiencës së energjisë, reduktimit të humbjeve në rrjet që është sa një e katërta e energjisë totale e prodhuar humbet në rrjet, këto masa do të mundësonin që Kosova B të jetë termocentrali i vetëm në vend, pasi që të rehabilitohet e t’i shtohet efiçienca e fuqia dhe një rrjetëzim më i mirë me fqinjët tanë posaçërisht me Shqipërinë do të mundësonin një simbiozë të mirë energjetike. Ne jemi të vetëdijshëm se Kosova ende nuk mund të jetë komplet e pavarur nga shfrytëzimi i thëngjillit, por duhet të filloj më fuqishëm në tranzicionin e energjisë dhe në diversifikimin e burimeve energjike. Parimisht, çdo megavat-orë energji e prodhuar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë duhet të zëvendësoj një megavat-orë e prodhuar nga burimet fosile/thëngjilli.

Lajmi.net: Cila është mënyra më e lehtë që Kosova mund ta përdorë energjinë e ripërtritshme?

Besfort Kosova: Energjia solare paraqet formën më të lehtë dhe më të përshtatshme dhe më ekonomike për shfrytëzimin e energjisë së ripërtërishme. Kosova ka kapacitet shumë të madh të energjisë solare, si për energji termike (p.sh. për të ngrohur ujin sanitar) dhe energji elektrike, qoftë për prodhim të shkallës më të gjerë, qoftë për vetë-konsum ashtu edhe për ulje të kërkesës së përgjithshme për energji nga burimet konvencionale. Energjia solare përpos që është energji e bollshme dhe e pashterueshme është relativisht e fortë në Kosovë sepse shkalla e rrezatimit është relativisht e lartë, prandaj kjo formë është rentabile ekonomikisht dhe sjellë fitime. Është me rëndësi që aplikacionet në ZRrE të përshpejtohen, të largohen barrierat administrative për burimet e ripërtërishme të energjisë, të themelohet “One Stop Shop”, ku investitori i kryen të gjitha licencimet  e autorizimet me një vend dhe kështu i tërë procesi burokratik përshpejtohet dukshëm dhe të kemi më shumë gjenerator nga BRE-të më shpejtë në terren.

Lajmi.net: Energjia e erës, ujit, panelet solare a janë të gjitha të aplikueshme në Kosovë?

Besfort Kosova: Të gjitha këto forma janë të aplikueshme në Kosovë dhe janë duke u aplikuar në shkallë të ndryshme dhe kryesisht duke u zhvilluar nga sektori privat. Për momentin sasia më e madhe e energjisë që prodhohet më së shumti vjen nga burimet hidrike, sikurse është hidrocentrali i Ujmanit dhe një mori e hidrocentraleve të vogla. Pastaj e dyta për nga fuqia e prodhuar në vend është ajo nga energjia e erës, falë investimeve të fundit në të, nga kompania “Air Energy” SH.P.K. (simotër e “GÜRİŞ Holding” nga Turqia) – në parkun eloik Kitka afër Kamenicës. Potencial i madh ekziston por që është në fazën fillestare edhe në prodhimin e energjisë solare, me dy impiante nga 3MË dhe shumë tjera të vogla. Por edhe biogazi ka potencial të madh në vend, veprimtari kjo ende e paeksploruar në Kosovë. Është interesante të theksohet se energjia hidrike paraqitet edhe si forma më e vjetër në vend e prodhimit të energjisë elektrike, së pari në Prizren, pastaj në Mitrovicë për nevoja të ndriçimit dhe të pajisjeve të radiove në vitet 30’ta.