Strategjia e Moskës për të shkatërruar perëndimin

14.07.2017 14:40:35

Qendra për Analizë të Politikës Europiane (CEPA) ka dëshmuar para Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit Amerikan për Ndikimet malinje të Rusisë në Evropë.

Janusz Bugajski, Zyrtar i Lartë

Dëshmia e plotë e Bugajskit:

Kryesues John McCain, anëtar Jack Reed, dhe anëtarë të Komisionit për Shërbime të Armatosura të Senatit, ju falënderoj për mundësinë që më keni dhënë për të folur sot me ju lidhur me kërcënimet në rritje të Rusisë së Vladimir Putinit ndaj sigurisë evropiane dhe aleancës sonë trans-Atlantike.

Do të filloj me kërcënimet kryesore që vijnë nga Kremlini dhe pastaj do të vendos Ballkanin në një kontekst më të gjerë strategjik.

Moska është përfshirë në një Luftë Hije globale me qëllimin kryesor që të shkatërrojë Perëndimin dhe të projektojë Rusinë si një shtyllë pushteti në nivel të barabartë global me Shtetet e Bashkuara. Evropa është fushëbeteja kryesore e kësaj lufte për dominim, në të cilën, Moska, nuk njeh as pavarësinë e as integritetin e ndonjë shteti të caktuar.

Objektivat e Moskës

Rusia e Putinit është e angazhuar në një fushatë të bashkërenduar për të rivendosur një bllok të përqendruar në Moskë, të minojë stabilitetin e disa rajoneve që shtrihen nga Arktiku deri në Pellgun Kaspik, të dobësojë NATO-n si një ofrues të sigurisë dhe të shkatërrojë Bashkimin Evropian. Ekzistojnë tri komponentë kryesore të ofensivës anti-perëndimore të Moskës.

 

1.            Rusia e përkufizon veten si një “shtyllë euroaziatike e pushtetit”, duke e mbrojtur veten kundër shkeljes perëndimore, krenare për anti-amerikanizmin e saj dhe autoritarizmin, e vendosur për të delegjitimuar modelin demokratik perëndimor dhe me synimin për të luajtur një rol pararojë midis qeverive që kundërshtojnë ndikimin politik nga Uashingtoni dhe Brukseli.

2.            Qëllimi kryesor i Kremlinit është të ndryshojë ndikimet e SHBA-së në Evropën e gjerë. Kjo do të ndihmonte Putinin të ushtrojë ndikim mbi politikat e jashtme dhe të sigurisë të shteteve kryesore. Ndryshe nga Lufta e Ftohtë, nuk ka ndarje të pranuar të Evropës në sferat Perëndimore dhe Ruse. Në vend të kësaj, shtete të shumta detyrohen ose joshen që t’i bashkohen zonës Ruse, të qëndrojnë neutrale ose të kundërshtojnë politikën e SHBA-së.

Moska ushtron presion ndaj ish-republikave sovjetike që të heqin dorë nga aspiratat e tyre perëndimore, nxit konfliktet brenda dhe midis shteteve të Ballkanit, nxit dhe shfrytëzon mosmarrëveshjet mbi territoret e pushtuara në Azerbajxhan, Gjeorgji dhe Moldavi dhe nënvkerëson anëtarët e NATO-s dhe të BE-së.

3.            Ndërsa qëllimet e tij janë perandorake, strategjitë e Kremlinit janë fleksibël. Një shumëllojshmëri armësh janë vendosur për të çarmatosur kundërshtarin, qoftë energjinë, biznesin, tregtinë, korrupsionin, shantazhin, hapësirën kibernetike, spiunazhin, politikën, fenë, ideologjinë, dezinformimin, konfliktet prokurë apo luftën e hapur.

Rusia shënjestëron Evropën

NATO-n dhe BE-në, Rusia i sheh si kërcënime ndaj ambicieve të saj ekspansioniste. Angazhimi i NATO-s për mbrojtjen kolektive pengon revizionizmin e Rusisë dhe politikën e saj “përçaj e sundo.”Standardet e BE-së për ligjshmëri dhe transparencë sfidojnë modelin e Rusisë për biznes të errët. Standardet perëndimore politike dhe për të drejtat e njeriut minojnë modelin politik autokratik të Rusisë.

Prandaj “Brexit” dhe problem të tjera brenda BE-së janë të mirëpritura nga Moska, pasiqë ato e ndajnë Unionin, nxisin marrëveshje bilaterale me Rusinë dhe kufizojnë zgjerimin e mëtejmë.

Moska përfiton nga trazirat politike, etnike dhe shoqërore në Evropë. Marrëveshjet fitimprurëse të biznesit dhe donacionet nga fushatat, i mundësojnë Kremlinit që të korruptojë dhe të ndikojë në zyrtarët e shënjestëruar/synuar.

Regresioni demokratik ose rritja e populizmit nacionalist favorizon objektivat e Rusisë duke dobësuar institucionet shtetërore dhe duke thelluar ndarjet në BE. Putin apelon si tek anti-amerikanët ashtu edhe tek ultranacionalistët dhe euroskeptikët, që të nxisin trazira. Gjatë cikleve zgjedhore, Moska synon të diskreditojë politikanët që nuk favorizojnë interesat e saj. Kjo mund të përfshirë shantazh, raportime të fabrikuara të lajmeve si dhe zbulimin/publikimin e komunikimeve të vjedhura personale.

Dimensioni Ballkanik i Moskës

Në Moskë, Ballkani shikohet si “soft underbelly” (pjesa e butë e nënbarkut) e Evropës, ku konfliktet latent janë të ndezura, aleatët e rinj potencialë gjykohen dhe mundësitë ekonomike shfrytëzohen. Rusia ka katër kanale kryesore të ndikimit në rajon: energjinë, korrupsionin, nacionalizmin dhe propagandën.

1.            Moska nxit varësinë ndaj energjisë duke i lidhur vendet e Ballkanit në projekte energjetike, përfshirë furnizimet me gaz, tubacionet dhe rafineritë. Varësia nga energjia mund të nënshtrojë pajtueshmërinë diplomatike dhe politike, duke i ekspozuar vendet ndaj shantazhit dhe detyrimit.

2.            Udhëheqësit politikë dhe afaristët korruptohen për të favorizuar interesat e Rusisë, për të qëndruar neutral ose për të mbështetur qëndrimet e Moskës në ofensivat e saj të politikës së jashtme.

3.            Nxitet nacionalizmi lokal në mënyrë që të krijohen konflikte rivale nacionaliste, të dëmtojnë përkrahjen e NATO-s, SHBA-së dhe BE-së dhe të përforcojnë rolin e Moskës si ndërmjetës. Kjo i ndihmon Kremlinit që të vonojë përparimin e rajonit drejt institucioneve perëndimore.

4.            Kremlini angazhohet në ofensivë propaganduese përmes mediave lokale, internetit dhe rrjeteve sociale në mënyrë që të rris prestigjin e Rusisë dhe për të minuar institucionet shtetërore. Mesazhet e tij janë të dizajnuara për t’u bërë thirrje elementëve euroskeptikë, anti-amerikanë dhe ultra-konservatorë, ku Rusia paraqitet si mbrojtës iI vlerave tradicionale.

Moska synon të skualifikojë shtetet e Ballkanit Perëndimor nga anëtarësimi në NATO dhe në BE. Në Bosnjë-Hercegovinë, ajo inkurajon qeverinë e njësisë serbe për të mbajtur vendin të ndarë. Në Kosovë përdor pakicën serbe për të mbështetur spektrin e ndarjes dhe bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB. Në Maqedoni, për të fituar ndikim politik, ajo manipulon me trazirat e brendshme dhe rrugëtimin me pengesa të vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Përpjekja për grusht-shtet në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në tetor të vitit 2016, thuhet se ishte organizuar nga operacionet ushtarake të inteligjencës ruse për të parandaluar anëtarësimin e vendit në NATO. Komploti u zbulua me kohë, ndryshe do të mund të kishte rezultuar me gjakderdhje masive në Podgoricë. Përderisa rusët shmangën arrestimin, gjykatat malazeze kanë nisur me gjykimin e nacionalistëve të dyshuar serbë, duke përfshirë edhe anëtarë të opozitës pro-moskovite.

Thënë qartë, qeveria serbe ka ndihmuar përpjekjet e Malit të Zi për të hetuar komplotin. Beogradi e kupton që Serbia mund të përballet me një skenar të ngjashëm të destabilizimit, në rast se vendos të “lirojë” lidhjet e tij me Moskën.

Është mirë që ne duhet të përgatitemi për skenarë dhune në të ardhmen. Komploti i ardhshëm i Moskës ka gjasa të jetë më i sofistikuar dhe më i gjerë, qoftë duke nxitur krerët serbë në Bosnjë-Hercegovinë kundër popullsisë myslimane, qoftë me projektimin e përleshjeve  etnike ndërmjet maqedonasve e shqiptarëve në Maqedoni ose duke provokuar konflikte ndërmjet serbëve e Malit të Zi.

Nëse kjo I shërben interesave të tij, Putini nuk do të kundërshtonte ndezjen e një lufte rajonale për të testuar/provuar vendosmërinë e NATO-s, duke tërhequr vëmendjen nga ndërhyrjet e Rusisë dhe duke minuar integrimin Perëndimor.

Përgjigjet Perëndimore

Zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së kanë thënë se nuk ka konkurrencë zero me Rusinë mbi besnikërinë e ndonjë vendi evropian. Në të vërtetë, kontradikta ndërmjet lirisë së një vendi për të zgjedhur aleancat e saj ndërkombëtare, të cilat i përkrah Perëndimi, dhe kufizimet në sovranitetin  e shtetit, në të cilin këmbëngul Moska , qëndron në thelbin e luftës aktuale.

Përderisa Putini mbetet në krye, politika perëndimore duhet të jetë e orientuar drejt mbështetjes afatgjatë për pavarësinë dhe integritetin e vendeve në të gjithë Evropën e gjerë.

Në Ballkan, sfidat aktuale të sigurisë nuk janë kryesisht ushtarake, por politike, etnike, ekonomike, financiare dhe informative, veçanërisht kur mosmarrëveshjet lokale mund të nxiten përmes ndikimit të jashtëm. SHBA-të dhe NATO duhet të parandalojnë konfliktin duke identifikuar dobësitë, promovuar bashkëpunimin ndërshtetëror, forcuar diversifikimin e energjisë (përfshirë furnizimet me gaz nga Azerbajxhani), duke luftuar ndikimin rus dhe duke përshpejtuar hyrjen në NATO.

Paradoksalisht, sulmi I Moskës ndaj zgjedhjeve demokratike në SHBA dhe në Evropë, zgjoi një ndjenjë të re realizmi rreth Rusisë së Putinit, duke shpërndarë iluzione rreth interesave të përbashkëta.

Uashingtoni duhet të kuptojë rolin udhëheqës ashtu sic bëri gjatë Luftës së Ftohtë, sepse Evropa mbetet e ndarë dhe është perceptuar nga Moska si e dobët dhe e pavendosur. Nëse SHBA-të humbin rolin e tyre, atëherë ne do të mund të jemi dëshmitarë të krizave rajonale, që shkatërrojnë stabilitetin evropian dhe dëmtojnë aleancën e NATO-s.

Konkluza

SHBA-të dhe NATO duhet të jenë të armatosura për Luftën e Hijes më Moskën. Përveç parandalimit, forma më efektive e mbrojtjes është kundërshtimi me fokus në dobësitë e shumta të Rusisë, sic janë ato ekonomike, politike, informative dhe kibernetike.

Federata Ruse ballafaqohet me prishjen e tej-zgjatur të brendshme për shkak të dështimeve strukturore, ekonomike dhe demografike.  Kështu që për të mashtruar qytetarët e saj, Kremlini angazhohet në aventura të huaja: kur nuk të sigurojë bukë, ai ofron një cirk.

Administrata Trump mund të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme duke përmbysur ofensivën e Kremlinit në Evropë dhe duke rindërtuar një aleancë më elastike trans-atlantike.

Kjo do të rrisë shtetësinë e Shteteve të Bashkuara, si lideri më efektiv ndërkombëtar dhe do ta bëjë Amerikën më të fortë dhe më të madhe.

Së fundmi, do të doja të përfshija  në shënime librin tim të fundit me bashkëautor Margarita Assenova. E titulluar “Eurasian Disunion: Russia’s Vulnerable Flanks,” ky libër siguron një analizë gjithëpërfshirëse të strategjive dhe ambicieve të Moskës ndaj Europës dhe Shteteve të Bashkuara.