Strategjia për bashkim votash me serbët nuk është e LDK-së, por e të tjerëve kundër saj

03.02.2019 18:04:49

Nga Rexhep Kastrati

Ismet Beqiri, paska thënë se LDK është e gatshme të rrëzojë qeverinë edhe me votat e Listës “Srpska”, duke goditur rëndë thelbin e kësaj partie: mosbashkëpunimi me serbët kundër shqiptarëve!

Siç dihet, LDK dhe presidenti Rugova kurrë më parë nuk kanë ndërtuar politika dhe strategji bazuar në faktorin serb në Kosovë, por është ngirtur kurdoherë mbi interesat e saj partiake dhe ka ndërtuar strategji të përbashkët me shqiptarët.

Strategjia që në bashkëpunim me serbët të përmbysë qeveri dhe strukura institucionale të drejtuara dhe të ndërtuara nga LDK, ndërkaq, ka qenë dhe është strategji e partive të dala nga linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste!

Kështu ka ndodhur vazhdimisht, por janë tri momente substanciale që vlen të theksohen për të satën herë: bashkimi i partive të dala nga linja e Tiranës/Kretës me serbët dhe me pakicat tjera etnike për të penguar zgjedhjen e presidentit Rugova në postin e presidentit të vendit. Më 2001, LDK kishte fituar bindshëm, por jo aq sa për ta zgjedhur e vetme presidentin e vendit, prandaj u ballafaqua me një nga poshtërimet e mëdha që iu bënë presidentit Rugova: e vunë përballë të tjerëve për të mos u zgjedhur dot president, derisa nuk ia dhanë pushtetin PDK-së. Vërtet ishte poshtëruese të shihje idolin dhe udhëheqësin shpirtëror dhe politik të shqiptarëve, se si nuk i bënte dot 80 vota për t’u zgjedhë president!

Momenti i dytë ishte kur u përsërit skena e ngjashme, por tash për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga LDK. Siç dihet, më 2017, PDK, VV, AAK, Nisma u bashkuan si më 2001 për të rrëzuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e drejtuar nga ai. Dhe ky bashkim kishte ardhur vetëm pak muaj pasi që Aleksandër Vulin kishte urdhëruar partitë në Kosovë që ta rrëzonin atë qeveri.

Momenti i tretë është momenti kur Ramush Haradinaj dhe koalicioni PAN pritën me orë të tëra ardhjen e Listës “Srpska” për të bërë kuorumin dhe votat për zgjedhjen e qeverisë aktuale. Më 2017, pamjet ishin të rënda, fyese dhe poshtëruese, se si Kosova e 90% shqiptare, priste zgjatimin e qeverisë së Serbisë, për të bërë qeverinë.

Pra, gjithë historia politike e pas luftës është e mbushur me fakte se si serbët dhe pakicat tjera janë bashkuar me partitë tjera shqiptare për të realizuar qëllime të dëmshme jo vetëm ndaj LDK-së, por edhe ndaj vendit, por nuk ka asnjë moment, asnjë argument se të njëjtit janë bashkuar me LDK-në për të ndërtuar qeveri apo ndonjë projekt tjetër.

Tashmë kur Hashimi dhe Kadriu e dogjën Ramushin me taksën dhe kur e vunë në situatë që ose të heqë taksën dhe të ecë edhe vetë, ose ta mbajë taksën dhe të ecë vetë, del Ismet Beqiri thotë se LDK është e gatshme ta rrëzojë qeverinë edhe me votat e Listës “Srpska”.

Edhe pse Ismeti nuk e tha se çka nëse Lista “Srpska” nuk jep votat, pasi që ajo pat votë për rrëzimin e qeverisë së LDK-së, dhe pat votë për ndërtimin e qeverisë së PAN-it; nuk tha se a do të ishte LDK që t’ia plotësonte kushtet Listës “Srpska” për të dhënë votën kundër kësaj qeverie.

Është e qartë se Lista “Srpska” jep votë në dy mënyra: kur për këtë të jetë dakord edhe Beogradi, dhe kur partitë shqiptare pranojnë kushtet e saj, përkatësisht të Serbisë.

Nëse Lista “Srpska” do të jepte votën kundër qeverisë aktuale, atëherë do ta bënte vetëm po qe se Vuçiqi do të jepte dirtën jeshile. E Vuçiqi, siç dihet, është në bashkërednim me Hashimin, me të cilin u realizua edhe nisma për FSK-në.

Në një rast të tillë, nisma për rrëzimin e qeverisë aktuale do të shkonte në favor të një strategjie Thaçi – Vuçiq qoftë për të futur në kaos institucional vendin, qoftë edhe për ta djegur edhe më tej LDK-në.

Në fakt, dy janë variantet për rrëzimin e qeverisë aktuale: nga vetë koalicioni PAN, dhe nga opozita. Nga koalicioni PAN do të ishte me prishjen e koalicionit nga PDK për shkak të taksës, apo edhe për ndonjë arsye tjetër, kurse nga opozita, me nisma të tilla, si kjo e LDK-së.

Historia më e re politike e Kosovës ka dëshmuar se PDK, pas rastit të Zanzibarit, nuk ndërmerr nisma për rrëzim qeverish, por ato i realizon nëpërmjet opozitës, siç ndodhi gjatë legjislaturës së kaluar.

Në rastin aktual, çdo nismë e LDK-së për rrëzimin e qeverisë do të konvergjonte me synimet e PDK-së, do ta bënte pikë goditjeje në frymën tradicionale që nga kohë e luftës, por edhe do të nxirrte në sipërfaqe çarjet e brendshme në LDK që po fshihen me zor.

LDK nuk do të duhej që të bëhej pjesë e lojrave politiko-institucionale të PAN-it, por të linte këtë koalicion të bie vetë, sepse taksa nuk do të jetë çështje vetëm e Ramushit, por e tërë këtij koalicioni.

LDK mund të ndihmojë në rrëzimin e qeverisë, pasi të bëjë mirëp hesap anët e mira dhe të këqija të këtij akti, dhe duke mos ua votuar projektligjet.

Në të kundërt, pasojat do t’i bartë ajo dhe vendi!