Studentët kërkojnë liberalizim, pyesin Mogherinin për vlerat e BE-së

24.12.2018 14:04:23

“A është izolimi vlerë e BE-së”, është pyetja e cila sot është bërë nga studentët kosovarë për përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinin.

Përmes një marshi protestues që nisi nga Fakulteti Filozofik e deri zyra e BE-së, studentët e quajtën padrejtësi, mashtrim e izolim, mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një kuti ata “dhuruan” pasaportat e tyre, që i quajtën të pavlera.

Studenti Bekim Ibishi ka treguar simbolikën e kësaj dhurate.

“Arsyeja pse gjendemi këtu është që të kërkojmë llogaridhënie nga BE-ja për mos liberalizimin e vizave, kur të gjithë këta janë në festë dhe kanë harruar të gjitha brengat e tyre. Ne nuk mund t’i vizitojmë as familjarët tanë, këta mund të vizitojnë anë e mbanë botës. Jemi i vetmi vend në Evropë që jemi izoluar, dhe për atë arsye jemi ardh që të kërkojmë llogaridhënie: a është izolimi vlerë e BE-së?”, u shpreh ai.

Edhe studenti Blendon Arifi ka përmendur dhuratën të cilën i kanë bërë Mogherinit, duke vënë në pah izolimin e kosovarëve.

“Simbolika e sotme e studentëve të UP-së është e veçantë dhe lidhet me një ditë të shenjtë, ditën e kërshëndellave, ditë kjo e cila bart me vete këtu e shumë vite e shekuj mesazhin e bashkëpunimit, tolerancës, dashurisë dhe mirëkuptimit mes njerëzve. Në të gjithë truallin evropian jemi të vetmit që s’mund të lëvizim lirshëm dhe rrjedhimisht të festojmë, në të gjithë truallin evropian jemi të vetmit që jemi të getoizuar dhe të izoluar gjithandej, në të gjithë truallin evropian jemi të mashtruar e madje edhe të pashpresë, neve nuk na intereson politika e as nuk duam të jemi pjesë e saj, as e partive politike, dhe as e ndonjë lëvizje qytetare”, tha Arifi.

E studenti Edison Syla para protestuesve të mbledhur tha se popullit të Kosovës po i bëhet fyerja më e madhe që mund t’i bëhet dikujt.

Kurse Shpat Krasniqi ka përmendur kriteret e plotësuara nga Kosova, duke shtruar pyetjen edhe sa kritere të tjera duhet plotësuar deri në lëvizjen e lirë.