Stuhia e shiut përmbyti disa qytete gjatë vikendit në Kosovë

19.07.2021 09:24:41

Reshjet e shiut të shtunën dhe të dielën, shkaktuan telashe në disa qytete të Kosovës, duke përfshirë bllokim të rrugëve e dëme nëpër shtëpi private e lokale afariste nga depërtimi i ujit.

Gjatë ditës së djeshme, kryeqyteti u përball me një stuhi shiu dhe ere që vërshoi disa lagje të kryeqytetit e po ashtu edhe sheshet.

Komuna e Prishtinës tha se gjendja është nën kontroll, dhe se ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publik kanë dalë në terren,

Mati 1, Tophanja, Dodona dhe Qendra ishin lagjet të cilat u preken më shumë nga stuhia që ndodhi dje.

Pas kësaj situate FSK ngriti gjendjen e gatishmërisë të njësive të saja të para reaguese në rast të nevojës.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se FSK është e gatshme që të kryejë detyrat e mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe lokale për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve

Stuhi pati edhe në Vushtrri ku si pasojë kulmi i shkollës “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Zhilivod u dëmtua krejtësisht. Me situatë të ngjashme janë përballur edhe disa qytete në rajonin e Dukagjinit.

Në komunën e Gjilanit të shtunën një familje u evakuua nga shtëpia e tyre pas rrezikut nga reshjet.

Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, komuna ka bërë intervenim në 25 raste të ndryshme nga 52 thirrje që kanë pranuar institucionet komunale të emergjencave.

Edhe Komuna e Skenderajt pati shira të dendur dhe breshër gjatë ditës së shtunë.