Sveçla refuzon t’u përgjigjet akuzave të Thaçit se ka hyrë në dhomën e përgjimeve

28.05.2020 12:13:57

Xhelal Sveçla, u.d i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, ka refuzuar të enjten t’u përgjigjet akuzave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një natë më parë, se ai, kryeministri Kurti dhe zv.kryeministri Abazi kishin hyrë në dhomën e përgjimeve të PTK-së.

“Ky nuk është vendi se ku duhet të përgjigjem. Është një ndërtesë më tutje ku duhet të merret përgjigja. Nuk besoj që është koha të flasim për këtë. Nuk është as vendi, jemi në administratën e QKUK-së. Nuk jam unë që duhet të deklaroj për këtë. Për këtë duhet të deklarojnë në ndërtesën e ngjitur ekspertët që punojnë aty”, ka thënë ai, gjatë vizitës në QKUK.

Sveçla, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadori italian, Nicola Orlando kanë qenë në vizitë në QKUK.

Gjatë këtij takimi, sa i përket lehtësimit të masave, Vitia ka mohuar se një gjë e tillë është bërë për t’i hapur rrugë protesave,

“Kjo është bërë bazuar në planin që kishte Qeveria dhe fazat e lehtësimit të masave”, ka thënë Vitia.