Tahiri: Opozita ta provojë mocionin, Isa Mustafa u rrëzua kur opozita s’kishte...

Tahiri: Opozita ta provojë mocionin, Isa Mustafa u rrëzua kur opozita s’kishte numra

04.06.2019 21:30:36

Njohësi i zhvillimeve politike dhe analisti Ramush Tahiri, ka thënë se sistemi zgjedhor në Kosovë nuk përfaqëson demokracinë e vërtetë.

Tahiri, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se është shumë keq që një qytetar ka të drejtë të votojë pesë kandidatë.

Sipas tij, nëse një kandidat nuk merr mbështetje në komunën e vet, kalon në ndonjë komunë tjetër, pasi ajo është dëshira e liderit.

Njohësi i zhvillimeve politike ka thënë se nuk ka zgjedhje para qershorit pasi deputetët dëshirojnë t’i bëjnë dy vite nga fillimi i mandatit për të përfituar benificionet e plota, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se opozita mund të bëjë më shumë se 61 vota për mocion mosbesimi, por të vlefshme për rrëzimin e qeverisë janë vetëm votat në Kuvend.

Politologu, siç përcjell Telegrafi, ka thënë se votimi në Kuvend është individual dhe askujt nuk duhet t’i interesojë nëse votojnë serbët apo dikush tjetër.

“Kur e rrëzuan herën e kaluar Isa Mustafën, opozita kishte rreth 44 nënshkrime. Çka ndodhi më pas. Vetëm LDK-ja votoi kundër rrëzimit të Qeverisë, të gjithë tjerët u bën bashkë. Kjo u përjetua një tradhti, mirëpo kjo është politika”.

“… Tash unë i besoj opozitës se po duan të rrëzojnë Qeverinë dhe që ka alternativë nëse fillon iniciativën. Çfarë dëmi ka nëse dështon iniciativa. Le të dërgojnë iniciativën me 40 deputetë dhe ta shikojnë a po votojnë individualisht Milaim Zeka, apo dikush tjetër… Nëse dështon iniciativa humbet mundësia për të provuar rrëzimin e qeverisë për tre muaj. Asgjë nuk janë. Ne humbëm një vit prej se kur ka filluar kjo iniciativë”, tha Tahiri