Lulzim Basha ndodhet në Gjermani ku ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të kancelarisë së Merkel dhe ka marrë pjesë në Kongresin Ekonomik të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial.
Në një intervistë për DW, kryedemokrati thekson se nuk do të ketë hapje negociatash pa tejkaluar krizën politike.
Sipas Bashës, ky është mesazhi që mori tek Kancelaria dhe tek zyra e Kancelares Merkel.
“E gjithë kjo konferencë po zhvillohet sipas asaj që njihet si rregulli “Chatham House rule”. Pra, unë kam zhvilluar biseda jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk jam i lirë të atribuoj përmbajtjen e këtyre bisedave. Por konkluzioni që mund të ndaj me ju dhe, përmes jush, me gjithë ndjekësit e Deutsche Ëelle në Shqipëri dhe anembanë hapësirës shqiptare, është ky: Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht.
Në momentin aktual, në Gjermani, sikundër dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të Bashkimit Europian, predominon mendimi që nuk do të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike, e cila është e vetmja rrugë për të plotësuar detyrat e paplotësuara, siç është lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, dënimi i politikanëve të kapur dhe të përgjuar në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur votat dhe për të fallsifikuar rezultatin elektoral të vitit 2017-të. Nga ana tjetër, është shqetësimi që, nëqoftëse nuk ka ndryshim, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi të madhe, e cila, pastaj, do ta veçonte dhe nga Maqedonia e Veriut. Ajo do të shkonte përpara në këtë proces, ndërkohë që Shqipëria do të mbetej në vendnumëro apo akoma më keq, do të izolohej”, ka deklaruar Basha për DW.
Basha thekson se opozita u përmbahet kërkesave të saj dhe se kriza mund të zgjidhet vetëm përmes marrjes së përgjegjësive politike, largimit të kryeministri Rama dhe krijimit të qeverisë tranzitore për të shkruar drejt zgjedhjeve të reja.