Tahiri: Sot bëmë një hap shumë të rëndësishëm për parandalimin e konfliktit të interesit

25.01.2018 19:16:38

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në Facebook, ka falënderuar deputetët që mbështeten projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Sipas ministrit, ky është hap i rëndësishëm në parandalimin e konfliktit të inetersit, meqenëse krijohet bazë e mirëfilltë ligjore që lufton format e ndryshme të abuzimit me pushtetin.

“Që nga fillimi i mandatit kam qenë i përkushtuar për të adresuar fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për të siguruar legjislacion që parandalon dhe lufton korrupsionin si dhe rritë integritetin e institucioneve publike. Kjo mendësi është shprehur edhe në projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik. Përmbajtja e këtij projektligji reflekton një bazë të mirëfilltë ligjore që lufton format e ndryshme të abuzimit me pushtetin dhe pozitën institucionale, që kufizon veprimet dhe interesat private të zyrtarëve publik gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe që bën të mundur shmangien e konfliktit të interesit përmes fokusit në parandalim”, ka shkruar Tahiri.

Me miratimin e Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik, përmbushet një prej tre kërkesave nga Agjenda e Reformave Evropiane për Ministrinë e Drejtësisë.