Tahiri takoi homologen e tij nga Shqipëria

26.03.2019 16:15:13

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri sot është takuar me Ministren e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, të cilën e ka njoftuar  për reformat e ndërmarra që nga fillimi i mandatit të tij, nisur nga agjenda legjislative dhe ndryshimet e bëra në legjislacionin e fushës penale.

Në njoftimin për media thuhet se  Tahiri ka treguar punën e bërë në reformimin e drejtësisë, nisur nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, proces i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë dhe me pjesëmarrjen e akterëve kryesor, dhe institucioneve ndërkombëtare, që sipas tij do të definojë vlerat, përgjegjësitë dhe mandatet që synojnë një rend juridik demokratik, të përgjegjshëm dhe efikas.

“Përmirësimi i përvojës së qytetarëve me gjyqësorin, do të arrihet përmes agjendës së përbashkët “Drejtësia 2020”, që synon që për dy vite, problemet kryesore të sektorit të zgjidhen dhe të përfundoj tranzicionin në drejtësi”, ka thënë ai.

Ministrja Gjonaj ka njoftuar ministrin Tahiri lidhur me zbatimin e reformave të ndërmarra në gjyqësor në Shqipëri, si dhe ka kërkuar shkëmbimin e përvojave në çështjen e ndërmjetësimit, si njëra nga mundësitë kryesore që qytetarët kanë në zgjidhjen alternative të rasteve të tyre.

Në njoftim thuhet se, ministrja Gjonaj ka ofruar mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë në integrimet evropiane, me përvojën që kanë në përmbushjen e obligimeve të dala nga hapja e kapitujve 23 dhe 24 ë integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në takim është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar si dhe bashkëpunimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës me institucionet korrektuese në Shqipëri.