Pse facebook ka fshirë llogari nga Kosova?

26.03.2019 16:20:44

Facebook ka njoftuar sot se ka fshirë shumë llogari nga Irani, Rusia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, për shkak të “sjelljeve të koordinuara joautentike”, shkruan Reuters.

Në një total prej 2,632 faqe, grupe dhe llogari janë fshirë nga Facebook dhe Instagram, për shkak të operacioneve që lidhen me vendet e lartpërmendura. 513 prej këtyre llogarive kishin lidhje me Iranin, derisa 1,907 me Rusinë.

Llogaritë që kishin lidhje me Rusinë janë eliminuar kryesisht si “spam”, kurse një pjesë e vogël ishin fshirë për shkak të sjelljeve të koordinuara joautentike. Facebook gjithashtu ka njoftuar se faqet dhe llogaritë janë mbyllur për shkak të sjelljes e jo për shkak të përmbajtjes.

Platforma e medias sociale së fundmi ka mbyllur shumë llogari në vende të ndryshme të botës, për shpërndarje të materialeve me përmbajtje ekstreme dhe vazhdimisht proklamonin propaganda. Në janar të këtij viti, Facebook kishte fshirë edhe shumë llogari tjera që kishin lidhje me Iranin.

E në njoftimin e publikuar nga Facebook, thuhet se sot janë mbyllur 2,632 faqe, grupe dhe llogari për shkak të sjelljeve të koordinuara joautentike.

“Sot kemi larguar 2,632 faqe, grupe dhe llogari të përfshira në sjellje të koordinuara joautentike që kishin origjinën nga Irani, Rusia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Nuk kemi gjetur ndonjë lidhje mes tyre, por kishin përdorur taktikat e njëjta duke krijuar rrjete të llogarive për të mashtruar të tjerët.

Vazhdimisht jemi duke punuar për të detektuar dhe ndalur këto lloj aktivitetesh pasi nuk duam që shërbimet tona të përdoren për të manipuluar njerëzit. Jemi duke i mbyllur këto faqe, llogari duke u bazuar në sjelljen e tyre e jo në bazë të përmbajtjes. Në çdo rast, çdo person që qëndron prapa këtyre aktiviteteve të koordinuara kanë përdorur llogari të rreme, dhe kjo ka mjaftuar si dëshmi që të veprojmë”.