Tasholli: Taksa bart gjurmë abuzuese – partitë e përdorën për qëllime të caktuara

06.02.2020 22:33:03

Studiuesi i filozofisë Ismail Tasholli duke folur për taksën 100 për qind ka thënë se kjo masë është keqpërdorur nga  partitë politike që kanë abuzuar me të varësisht prej interesave të tyre.

“Mos të harrojmë që jokonsistenca në politikë është aset. Këtë e ka kuptuar edhe kryeministri tani – që është brenda normales”.

“Tek ne taksa bart gjurmë abuzuese brenda varësisht nga konteksti dhe interesi i partive politike që e kanë përdorë për qëllime të caktuara partiake. Nëse e rikapitulojmë se si ka ardhë deri te taksa ishte çështje edhe e dinjitetit dhe ishte e përkrahur nga të gjitha partitë politike”.

“Eskalimi i saj ndodhi kur kërkesat e Bashkimit Europian, madje edhe letrat e Donald Trumpit, sugjeruan që të hiqet, sepse është pengesë për dialogun. Taksa u kthye në kartë shumë të suksesshme të Beogradit dhe Aleksandar Vuçiqit, sepse e gjeti një arsye për të fajësuar Kosovën që e përdori taksën për të shmangur dialogun”.

“Ka edhe shumë keqpërdorime të tjera që i bëhen taksës. Edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha se me ‘taksën e ndala ndarjen e Kosovës’. Kadri Veseli pati thënë që duhet të pezullohet taksa për shkak të letrave të Trumpit”.

Tasholli në Zona e Debatit në Klan Kosova ka vlerësuar se deklaratat e kryeministrit të ri Albin Kurti lidhur me këtë çështje nuk kanë konsistencë.

“Deklaratat e fundit të Albin Kurtit për taksën dhe reciprocitetin jo që kanë konsistencë. Mos të harrojmë të rikthehemi dhe të kujtojmë deklaratat e tij për dorëheqjen e Ramush Haradinajt kur pati thënë që vendimi është i drejtë, por mënyra e arsyetimit të dorëheqjes është e gabuar”.

“Madje pati thënë ‘kryeministri le të shkojë, por taksa le të mbetet’”.