Tavolina poetike e të shtunës, për librin e ri të Sinan Sadikut “Nata rri zgjuar”.

09.03.2019 22:03:06

Nga Sabit Rrustemi

Fundi i muajit shkurt u përmbyll me dy botime të reja. Poetët, tashmë emra të shquar të letërsisë sonë, Nexhat Rexha e Sinan Sadiku, përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, botuan vëllimet e reja poetike, “Duke kërkuar hijen tënde”, përkatësisht, “Nata rri zgjuar”.
Të shtunën që shkoi, në TAVOLINËN POETIKE TË SË SHTUNËS, u paraqit para një rrethi të ngushtë miqsh, vëllimi i Nexhat rexhës, “Duke kërkuar hijen tënde”. Ndërsa, këtë të shtune, më 9 Mars 2019, aty ku rëndom jetësohen këto veprimtari, “Te Fontana”, në Qendër të Gjilanit, pjesë e shpalimit dhe vlerësimit të parë ishte libri i tretë poetik i Sinan Sadikut, “Nata rri zgjuar”.
Të pranishëm, përpos editorit të kësaj Shtëpie, ishin edhe Nexhat Rexha, redaktor i këtij libri, Sherafedin Kadriu e Arsim Halili, recensentë të librit, Baki Krasniqi, prozator e poet si dhe profesori Hetem Kosumi e, kuptohet edhe vetë autori i librit, Sinan Sadiku, i cili përpos që i nderoi miqtë e tij me nga një ekzemplar të këtij libri, i gostiti edhe me nga një pije.
Në takimin që zgjati afro dy orë, u bisedua për poezinë e këtij libri që, siç u tha, ruan nivelin artistik të dy librave të mëheparshëm por, edhe e avanson atë, me prurje të reja, po edhe në prekjen dhe vlerësimin e përditshmërisë sonë në Kosovën e pasluftës përmes syrit kritik, gjithnjë me nuanca të dallueshme artistike.
Zhgënjimi, si një lajtmotiv kkrijues, përmes penës dhe mendjes së Sinan Sadikut, shndërrohet në art poetik, duke shmangur deklarativizmin por edhe pesimizmin, të cilin autori e kapërcen me sukses.
Libri ndërtohet përmes tre cikleve, “Vjeshtë në vargun tim”, “Aeroporti i ëndrrave” dhe “Si të humba”.
Titulli i libri, sa simbolik ka dhe një shenjë alarmi në vete se, përderisa njerëzit flejnë nëpër dramat të cilat ngërthehet fati i tyre, nata nuk fle, rri zgjuar …