Të dyshuarit për vrasjen e policëve të UNMIK-ut para Gjykatës

06.07.2017 10:58:45

Dy të dyshuarit për vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe për tentim vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të tjerë të UNMIK-ut në vitin 2004 sot do të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë ku pritet caktimi i masës së sigurisë ndaj tyre, njofton Klan Kosova.

Të dyshuarit janë arrestuar gjatë ditës së djeshme pas një operacion kërkimi si pjesë e hetimeve penale në vazhdim nga Prokuroria Speciale të kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës.

Ashtu si merr vesh Klan Kosova, për të njëjtin rast gjatë ditës së djeshme është ekstraduar Faik Shaqiri nga Gjermania, që po ashtu pritet të paraqitet në seancën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Rreth 35 zyrtarë policorë ndërkombëtarë dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova bënë kërkime në lokacione të ndryshme në lidhje me shtatë të dyshuar pjesë e hetimeve penale në vazhdim e sipër.

Rasti është duke u hetuar dhe bashkërenduar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Urdhrat për arrestimet dhe kërkimet janë dhënë nga një gjyqtar i Kosovës për procedurë paraprake.