Të gjithë bashk për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat

29.08.2018 16:12:14

Institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe qytetarët do të bashkohen për të pastruar Kosovën nga mbeturinat.

Për tre muaj, ata do të angazhohen me aktivitete në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, organizim ky që zgjerohet edhe në rajon, meqë pjesë e bashkëpunimit do të jenë edhe qeveritë e shteteve fqinje.

Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit me Task-Forcën dhe grupin teknik të këtij organizimi.

Kryeministri Haradinaj u shpreh optimist se aksioni që do të mbahet do të arrijë ta pastrojë Kosovën.

“Sot e zhvilluam edhe një takim të përbashkët, dhe i falënderoj të gjithë për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë. Jam bukur optimist që ky aksion kësaj herë vërtetë do ta bëjë diferencën. Pra për këtë tre muaj do ta pastrojmë Kosovën dhe njëkohësisht pas tre muajsh nuk do të lejojmë që të mbushet me bërllok”, tha ai.

Luan Hasanaj nga organizata “Let’s Do It Kosovo”, tha se është hera e parë që ka një organizim të tillë, ndërkohë ftoi qytetarët të bashkëpunojnë.

“Është rasti i vetëm në rajon kur këta akterë bëhen bashkë për ta pastruar vendin prej ndotjes. Pra, jemi dëshmitarë që pothuajse i tërë rajoni është i ndotur, mirëpo asnjëra prej qeverive nuk e ka bërë këtë hap dhe vërtetë është për tu përshëndetur. Shpresojmë që edhe qytetarët do të bëhen bashkë dhe do ta japim kontributin të gjithë së bashku”, tha ai.

Albena Reshitaj, shefe e Task-Forcës për pastrimin e Kosovës, tha se të gjitha institucionet, bashkë me shoqërinë civile do të punojnë krijimin e mirëqenies së qytetarëve.

“Do të bashkëpunojnë dhe do të krijojnë një vend më të pastër, i cili do të krijojë mirëqenie dhe cilësi të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tashmë jemi përgatitur, janë plani i aktiviteteve, kemi detajuar të gjitha aktivitetet konkrete, i kemi ndarë punët e përgjegjësitë, në ministritë e linjës si dhe komunat, dhe tashmë po përgatitemi vetëm për hapjen e kësaj kampanje dhe konsideroj që vendi ynë meriton një pamje më të mirë dhe ne si institucione, edhe shoqëria civile, edhe e gjithë Kosova duhet të reflektojë në këtë drejtim”, tha ajo.

Nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor, në Kosovë do të mbahen aktivitete në terren, të cilat pritet të rezultojnë me heqjen e mbeturinave kudo që ndodhen. Pjesë e kësaj fushatë do të jenë edhe qeveritë e vendeve të rajonit, diçka që po shihet si mesazh që mjedisi nuk njeh kufij dhe është i përbashkët.