Të hënën dihen ministrat dhe zëvendësministrat të rinj të Qeverisë së Kosovës

04.11.2016 21:30:47

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se të hënën do të emërohen ministrat e po ashtu edhe zëvendësministrat e rinj të Qeverisë.

Veseli ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës, se Partia Demokratike e ka listën e ministrave dhe se finalizimi i procesit të riformatimit të Qeverisë do të bëhet pasi kryeministri Isa Mustafa të kthehet nga vizita në Londër.

“Ky proces, nga ana e PDK-së do të jetë i përfunduar shumë shpejt. Ne e kemi përfunduar, e do të kemi emra të ministrave të rinj, do të kemi disa lëvizje të zëvendësministrave. Sapo të kthehem nga kjo vizitë zyrtare, e besoj që edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të kthehet nga vizita në Londër, do ta ne do ta finalizojmë këtë proces”, ka thënë Veseli, i cili për momentin po qëndron në Hungari.

Sa i përket deklaratës së mëparshme të tij, lidhur me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, Veseli ka deklaruar se këto deklarime kanë qenë “të sinqerta”.

“Deklarimet rreth çështjes së vazhdimit të koalicionit apo mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme kanë qenë shumë korrekte edhe shumë të sinqerta. Ne me marrëveshje politike mund të arrijmë çdo lëvizje në interes të qytetarëve. Pa marrëveshje politike nuk mund të futemi në aventura”, theksoi Veseli.