Të hënën seancë e jashtëzakonshme për Buxhetin 2021

26.12.2020 18:02:24

Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se të hënën e 28 dhjetorit do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2021.

Në rend dite është edhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Seanca do të nisë në orën 11:00.

Kjo seancë u ftua me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve, kishte njoftuar në mesjavë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

LDK-ja, që udhëheq me Qeverinë, po kërkon që buxheti të miratohet para se të mbahen zgjedhjet e reja, të cilat janë kërkuar nga Kushtetuesja, bazuar në aktgjykimin për votën e deputetit Etem Arifi.

Më 30 nëntor, Qeveria e kishte bartur Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, dhe ai i është proceduar Kuvendit, por nuk është votuar ende. Procedura për nxjerrjen e një ligji të ri të buxhetit do të merrte shumë kohë.

E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars.

Në momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.