Të lodhur duke pritur për viza, qytetarët të zhgënjyer në udhëheqësit e shtetit (Video)

28.02.2018 21:54:05

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për herë të tretë kanë dështuar ta miratojnë ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshje sipas zyrtarëve të shtetit të Kosovës, por edhe të BE-së, pason me liberalizimin e  vizave.

Moungesa e lëvizjes së lirë për nëpër vendet e BE-së shtyn qytetarët e Kosovës po i detyron të aplikojnë nëpër ambasadat e këtyre shteteve për t’u pajisur me një vizë udhëtimi.

E radha është e gjatë për të marr një vizë para dyerve të ambasadave. Kështu ishte edhe sot para Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë.

Përkundër të ftohtit të madh qytetarë  të shumtë presin me orë të tëra, në mënyrë që të marrin një vizë për të udhëtuar për në shtetin zviceran qoftë për vizitë familjare apo shërim.

Edhe më e vështirë del të jetë procedura për marrjen e vizave për qytetarët që vijnë nga komunat e tjera në Prishtinë, pasi që për ta dalin shpenzime të shumta që i ngarkohen kostos së tyre.

Safete Zuzaku nga Gjilani ka treguar për KosovaPress se si po ballafaqohet me procedura të cilat sipas saj janë të tepërta dhe të paarsyeshme, sidomos kur bëhet fjalë për një rast të ndjeshëm, siç është sëmundja.

“Procedurat po janë të vështira, pritje që 3 muaj kam prit për 2 mars terminin edhe maltretim jo atë dokument, jo atë dokument, këtu i kam 20 dokumente dhe këto nuk po bëjnë, po duhet tash për secilin vet. Babën e kam të sëmurë, ai është i sëmurë prej shtatorit. Aty çka po shoh refuzime unë sot, ku njerëzit po hyjnë e po dalin, kjo është vdekje. Plus harxhimet sa shkojnë, nuk e di askush, pritja, maltretimi”, shfryhet ajo.

Zuzaku tregon se edhe pse shpesh udhëton në Zvicër, gjithmonë ballafaqohet me procedura të cilat marrin shumë kohë.

Edhe Ali Hyseni nga Gjilani, ka treguar se pritjet janë të gjata, teksa janë bërë edhe të mërzitshme.

Atij i është dashur të pres gati dy muaj për termin në Ambasadën e Zvicrës.

“Janë bërë të mërzitshme, para një muaji e gjysmë kemi bërë termin, javën e kaluar jemi kanë e kemi dorëzuar. Pas javës së kaluar, sot në mëngjes në ora 8 është dashur të vij për ta dorëzuar pasaportën, tash ora 4 e 15 minuta me marrë vizën”, tha ai.

Madje një gjë e tillë ka bërë që ata të humbasin shpresën për liberalizimin e vizave.

“Pe shohim gjithë populli atë punë të arsyeshme, por udhëheqja jonë nuk po na i kryen punët, do të thotë ata që i kemi zgjedhur me vota të popullit i kemi zgjedhur njerëzit më të mençur i kemi qitë përpara, ata nuk po i kryejnë punët e veta”, u shpreh ai.

Ndërsa Xhemë Lokaj, i cili kishte ardhur për të marrë vizën për të birin, thotë  se ka mjaft pengesa në rrugën deri sa vjen momenti i marrjes së saj.

Ai thotë se qytetarët po i mundojnë udhëheqësit.

“Ka termine boll, ma ka dërguar çika prej Gjermanisë garancionin më kanë thënë deri në gusht, Zvicra po ashtu të gjatë. E kanë tepruar me terminë të gjata, i kanë kaluar normat, ne duhet të kemi kujdes në çdo vepër”, tha Lokaj.

Ndryshe, pas kalimit të Projektligjit të ndryshuar të demarkacionit në Komisionin për Punë të Jashtme, seanca e Kuvendit ku pritej të debatohej dhe më pas të votohej për Projektligjin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është shtyrë për një ditë të pacaktuar.