Të rinjtë, për lajmet e rreme: Garë për klikime (Video)

08.04.2018 10:05:06

Në Kosovë, sidomos në media online, të rinjtë shumë shpesh hasin në lajme të rreme.

Për rubrikën e përjavshme “VOX”, disa nga të anketuarit thonë se lajmet e rreme kryesisht i hasin në rrjetet sociale, por edhe media online, të cilat plasojnë informacione të tilla për arsye të rritjes së lexueshmërisë dhe shikueshmërisë.

“Në rrjetet sociale po hasim shumë në lajme të rreme. E dimë që i bëjnë për klikime. Është diçka që po ndodhë. Për neve nuk është gjë e mirë sepse mund të na ndodhë mua e dikuj tjetër, por besoj që merren masa dhe ndërrojnë“, thotë Bardha Salihu, studente.

Ndërsa, Blerim Halili, sociolog, thotë se lajmet në përgjithësi janë shndërruar në një mekanizëm që u shërben interesave të klaneve, të grupeve të interesit apo grupeve të ndryshme politike në Kosovë dhe ka shumë raste, sidomos në rastet kur bëhen top-tema disa çështje shoqërore e politike, lajmi është shndërruar në një mjet propagande të fuqishëm që i bën njerëzit me mendu për një çështje të caktuar në mënyrë joreale.

Edhe Shkumbin Kajtazi thotë se has shpesh në lajme të rreme, kryesisht në disa mediume që nuk kanë kredibilitet dhe njerëzit bijnë pre e tyre për shjkak të mungesës së informacioneve për burimet e besueshme.

E për Agon Dragushën, lajmet e rreme janë bërë një lloj trendi që për shkak të klikimeve portalet po shtyhen cila ka klikime më shumë.

“Kur në një vend ka garë dhe nuk u intereson aq shumë interesi publik atëherë e bëjnë edhe një titull ose temë shumë bombastik dhe nuk e kanë dertin a është i vërtetë apo nuk është i vërtetë lajmi”, tha ai.