Teatri Kombëtar shpenzon 50 litra naftë në orë për ngrohje, drejtori Agim Sopi ka dyshime

20.12.2019 20:50:05

Shpenzimet e larta të derivateve të naftës për ngrohjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës po dalin të jenë shqetësuese edhe për drejtuesit e këtij institucioni. Drejtori Agim Sopi nuk përjashton mundësinë e tendencave për manipulime ndërsa Termokosi thotë se në pranverën 2020 TKK lidhet me ngrohtoren e qytetit.

Teatri Kombëtari Kosovës përkundër premtimeve as këtë sezonë nuk u lidh me ngrohtoren e qytetit. Kësisoj barra e ngrohjes së TKK-së me naftë bie mbi buxhetin e shtetit.

Drejtori i TKK- së, Agim Sopi thotë se pavarësisht reduktimit të orarit të ngrohjes shpenzimet e naftës janë të larta dhe të paarsyeshme.

“Ne ngrohemi në mëngjesrreth dy-tre orë sa për ta ngrohur ndërtesën pastaj i ndalim për t’i lëshuar më vonë për shfaqjet e mbrëmjes. Vetëm këto periudha ngrohemi e që në vit shpenzojmë rreth 50 mijë litra naftë”, deklaroi Agim Sopi.

Drejtori i TKK-së thotë se kalldaja shpenzon mbi  50 litra naftë brenda 1 ore. Sipas Sopit mos kyçja e TKK-së në Termokos, dhe shpenzimet e larta mund të jenë të qëllimshme me shkas përfitimet personale.

“Ne nuk hapim tendara për asnjë gjë, ne nuk nënshkruajmë asnjë kontratë pos për shfaqjet. Të gjitha këto janë pjesë e ministrisë. Ndoshta dikujt i konvenon kjo lloj ngrohje për ndonjë përfitimin nuk e di, por më duket se është shumë absurde që ne jemi të rrethuar me ngrohje qendrore e vet nuk jemi të kyçur në sistem”, shton më tej Agim Sopi.

Ndërkaq ngrohtorja e qytetit garanton se TKK në pranverën e 2020 do të lidhet me ngrohje si pjesë e një projekti nga Komisioni Evropian meqë rast edhe sistemi i ngrohjes do të rinovohet.

“Kyçja e Teatrit Kombëtar në sistemin e ngrohjes qendrore është projekt i vitit të ardhshëm. Kyçja do të bëhet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm nga një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian”, thotë Afërdita Uka.

Në një përgjigje elektronike për Rtv Dukagjini, MKRS konfirmon se në regjistrin kontabël për Institucionin e TKK-së ne ketë vit ka të paguara gjithsej  1,973 euro  furnizim me derivate.
Ndërsa nga burime brenda  MKRS , televizioni merr vesh se kjo shumë është paguar për muajt e parë të vitit ngase nga muaji maj Ministria nuk ka ekzekutuar pagesa për derivate të naftës në TKK dhe se nuk do të paguajnë pa u verifikuar  vlerat e shpenzimeve.