Teuta Haxhiu: Statistikat për arsimin, alarmante

08.09.2016 12:46:45

Sot është Dita ndërkombëtare e Arsimit, e shpallur nga OKB-ja në vitin 1967. Ditë e cila ka për qëllim rëndësinë e shkrim – leximit në jetën tonë shoqërore. Për fat të keq tek ne, në Kosovë, shkalla e analfabetizmit është ende e lartë përkundër përpjekjeve të vazhdueshme përmes disa projekteve që ky problem kaq madhor të tejkalohet.

Shumë fëmijë(nxënës) nuk shkojnë fare në shkollë e disa të tjerë janë të pamundur për shkak të gjendjes financiare në familjet e tyre.

Ndaj, është kjo datë e shënuar kur ne duhet t’i thërrasim ndërgjegjës sonë kolektive, sidomos Ministria e Arsimit, për një kujdes të shtuar dhe permanent në mënyrë që gjeneratat që po vijnë të mos e kenë të njëjtin fat të keq e të mbeten “analfabet”. Madje për këtë çështje Kuvendi i Kosovës nëpërmes një Rezolute në vitin 2008, ka miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara në të cilën është përfshirë edhe angazhimi kundër Analfabetizmit në Kosovë, por që rezultatet e prekshme në këtë drejtim deri më tani janë për t’u dëshiruar.

Arsimi në Kosovë nuk është ende i nivelit cilësor. Arsimi fillor ka pjesëmarrjen më të lartë të përgatitjes shkollore e cila është rreth 40%, ai i mesëm rreth 25%, ndërsa arsimi i lartë rreth 10% (e vetëm 1% me magjistratur- master dhe doktorata). Këto statistika sot, janë alarm i cili na thërret se medeomos duhet  të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për ofrimin e mundësive në mënyrë që të gjithë fëmijët, përkatësisht nxënësit të jenë të arsimuar.

Vetëm në këtë mënyrë, me këtë çasje parimore, pra shumë më ndryshe nga e kaluara, ne do të arrijmë si shoqëri e lirë dhe demokratike, me vizion të pastër, sidomos në lëmin e arsimit, që bashkërisht të zhdukim analfabetizmin – këtë brengë të madhe të shoqërisë sonë.Vetëm kështu ne mund të themi se kemi trasuar dhe siguruar përspektivën e shtetit tonë.

Urime Dita e Arsimit – kjo datë e shënuar, dita që zëshëm edhe njëherë thërret ndërgjegjën tonë kolektive si shtet e si popull për angazhim dhe përgjegjësi të shtuara në përditshmërinë tonë shoqërore.