Thaçi: Do të angazhohemi që Haradinaj të lirohet

04.01.2017 21:56:23

Ndaj arrestimit të liderit të AAK-së ka reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke thënë se “I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i z.Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë”.

“Ne pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi krenarë që kemi luftuar kundër ligjeve diskriminuese e kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërkaq drejtësinë tonë e vërtetoi edhe bota e lirë dhe demokratike kur ndërmori fushatën e bombardimit të caqeve serbe”, ka shkruar Thaçi, transmeton Telegrafi.

“Institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë me tërë mekanizmat që kanë në dispozicion, që sa më parë të korrigjohet ky gabim dhe që z. Haradinaj të lihet i lirë, siç e meriton”.

“Ky është edhe një argument tjetër pse Kosova duhet të jetë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, që ato të jenë në gjendje të zbulojnë të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë, për drejtësinë. HTH”, ka shkruar presidenti në një postim në Facebook.