Nju Jork, treni del nga shinat në Bruklin, mbi 100 të lënduar

04.01.2017 21:44:06

Një tren ka dalë nga shinat në Bruklin, në Nju Jork, duke shkaktuar plagosjen e mbi 100 personave. Aksidenti ka ndodhur me një mjet të linjës hekurudhore “Long island Rail Road”, që lidh Manhatanin me pjesën më perëndimore të Long Island. Në “Atlantic Terminal”, pika e takimit mes Lirr dhe linjave të ndryshme metropolitane, kanë shkuar menjëherë ekipet e ndihmës së shpejtë.

Bilanci provizor i të plagosurve ka shkuar në 103 persona. Sipas Departamentit të Zjarrfikëseve të Nju Jorkut, të lënduarit nuk janë në rrezik për jetën dhe janë trajtuar menjëherë në vend.

“Për momentin, i lënduari më rëndë ka një frakturë në këmbë, – ka komentuar guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i cili shkoi menjëherë në vendngjarje. – Kjo është ajo që po monitorojmë në këto momente. Një këmbë e thyer nuk është një gjë e mirë, por kemi qenë në situata të këqija”, – shtoi ai.

Sipas autoriteteve, dalja e trenit nga shinat mund të ketë ndodhur për shkak të trafikut të orës së pikut dhe vonesave pranë stacionit. Në tetor, 33 persona mbetën të plagosur në një tjetër incident hekurudhor në Long island.