Lukashenko paralajmëron gjakderdhje: Do duket si një shëtitje në park ajo që ndodhi në Ukrainë

03.09.2020 10:44:21

Ndërsa thotë se qëllimi i tij është të mbrojë atë që është arritur në këto 25 vite, paralajmëron dhe gjakderdhje, ndërsa e krahason situatën në vendin e tij me Ukrainën.

“Ajo çka ndodhi në Ukrainë do të duket si një shëtitje në park”. Kjo është një pjesë e deklaratës nga Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, i cili duke folur për mediat vendase të martën, në qytetin Baranovixh, iu tha gazetarëve se do të kishte gjakderdhje nëse opozita merr pushtetin në Bjellorusi.

“Ky nuk do të jetë një spastrim siç shprehen disa, do të jetë një gjakderdhje. Ajo çka ndodhi në Ukrainë do të duket si një shëtitje në park.

Unë dua të mbroj atë çka kemi krijuar me duart tona për 25 vjet. Ne e ngritëm këtë vend nga rrënojat”, u shpreh presidenti i Bjellorusisë.

Bjellorusia është përfshirë nga tensionet që kur Lukashenko deklaroi fitoren në zgjedhjet e muajit të kaluar, që nuk janë pranuar si të rregullta nga kundërshtarët e tij politikë.