“Në Uashington presione të mëdha për Serbinë”/ Daçiç: Vuçiç do mbrojë interesin kombëtar

03.09.2020 10:46:38

Ivica Daçiç deklaroi se në Washington do të ketë presione të mëdha si për Serbinë ashtu edhe për presidentin e saj Aleksandër Vuçiç, por ministri i jashtëm serb e bëri të qartë se ultimatumi nuk është mënyra për të zgjidhur problemin.

Në Shtëpinë e Bardhë sot pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. “Gjithmonë është folur për formimin e një kornize ekonomike, gjithçka që mund t’i përkiste normalizimit të marrëdhënieve, por edhe jetës së përditshme të njerëzve, infrastrukturës, hekurudhës, vendosjes së lirisë së lëvizjes, mallrave, kapitalit”, tha Daçiç.

Ai shtoi se nëse dikush pret që të jetë një takim spektakolar, në kuptimin që do të shfaqet një kornizë politike dhe të diskutohet statusi i Kosovës, ky nuk do të jetë rasti sipas tij.

“Nëse dikush mendon se të bëjë presion mbi Serbinë përmes disa agjendave të fshehura, unë jam i bindur se presidenti Vuçiç do të përgjigjet në mënyrën që është në interesin tonë kombëtar dhe shtetëror”, deklaroi Daçiç. Ai theksoi se marrëveshja politike nuk është e përgatitur.