Thaçi kërkon ndryshime kushtetuese për mandatin e Gjykatës Speciale /DOKUMENT

25.08.2020 13:32:43

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe zyrtarisht i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Presidenti Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Keshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon ne gusht të këtij viti. Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë.