Thaçi: SHBA po angazhohet që të përmbyllet konflikti Kosovë-Serbi

15.02.2019 21:40:04

 Thaçi nga Mynihu ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, ka thënë se në takimet që i ka zhvilluar është kërkuar pezullimi i taksës

Thaçi ka thënë se pret hapa konkretë dhe pozitivë, për vazhdimin e dialogut sa më shpejt që është e mundur.

“Ka qenë temë takimi edhe taksa. Ishte sygjerim i të gjithëve për pezullimin e përkohshëm. Është e pakuptueshme edhe kushtëzimi i dialogut në raport me Kosovën, prandaj pres hapa konkretë dhe pozitivë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i vendit ka thënë se letra e Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, janë inkurajuese për marrëveshjen finale.

Thaçi ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka angazhim të theksuar, për përmbylljen e konfliktit Kosovë-Serbi.

“Është më inkurajues mesazhi që Trump i dërgon Vuçiqit, për domosdoshmërinë e njohjes reciproke. Shtëpia e Bardhë ka një angazhim të theksuar, të vendosur në përmbylljen e konlfiktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Thaçi.

Ndryshe, edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i interesuar për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.