Thaçi takon senatorin McCain, flasin për themelimin e Ushtrisë së Kosovës

11.01.2017 21:44:02

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë qëndrimit të tij në SHBA ka zhvilluar një takim me senatorin John McCain, me të cilin thotë se ka biseduar për zhvillimet në rajon dhe më gjerë si dhe për domosdoshmërinë e themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Një çështje konkrete për të cilën diskutuam dhe për të cilën u pajtuam, ishte domosdoshmëria e themelimit të ushtrisë së Kosovës, e cila është jetike për ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror”, ka thënë Thaçi në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Sapo përfundova një takim tjetër tepër të rëndësishëm me senatorin John McCain, që padyshim përveç që është një hero i gjallë amerikan, ai është edhe një mik shumë i çmuar i Kosovës.

Diskutuam për të gjitha zhvillimet në rajonin tonë dhe më gjerë, duke u fokusuar në nevojën që ShBA-ja të vazhdojë me rolin e vet udhëheqës në Kosovë.

Një çështje konkrete për të cilën diskutuam dhe për të cilën u pajtuam, ishte domosdoshmëria e themelimit të ushtrisë së Kosovës, e cila është jetike për ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror.

Mikun tonë, senatorin McCain, e ftova që ta vizitojë Kosovën dhe shpresoj që ai do ta bëjë këtë vizitë në të ardhmen. HTH”, ka shkruar Thaçi.