Thahet liqeni i Fierzës, hidrocentrali mbyll portat

18.07.2017 16:37:50
Liqeni i Fierzës ka arritur në nivelet minimale. Aktualisht e gjithë kaskada e Drinit nuk punon dhe është stakuar për të mos prekur sasinë e ujit në basenet e hidrocentraleve. Niveli i ujit  Fierza është në kuotat më të ulëta vjetore, duke shkuar në 271 metra.

Thatësira e madhe që ka prekur Shqipërinë ka detyruar kompaninë e shpërndarjes të bëjë dy herë importe gjatë Korrikut, ndërsa shpenzimet për blerjen e energjisë kanë prekur fondin e investimeve të OSHEE-së.

Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes, thotë se pavarësisht situatës, nuk do të ketë ndërprerje të energjisë dhe se nëse thatësira zgjat importet garantohen nga kompanitë publike deri në muajin Nëntor.

Lika thotë se OSHEE nuk do të shkurtojë investimet e rëndësishme, prej të cilat varet furnizimi me energji i konsumatorëve.

Deri tani janë shpenzuar 24 milionë euro për blerjen e energjisë, ndërsa për Gushtin, KESH ka në dispozicion një fond prej 22.5 milionë eurosh për të bërë importe, duke e çuar faturën vetëm në dy muaj në 46.5 milionë euro.