THAQI: KEK-U NUK ËSHTË FAJTOR PËR MUNGESË TË RRYMËS

16.12.2018 23:35:55

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ajo është duke dhënë maksimumin për prodhimin e energjisë.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaqi, ka sqaruar se KEK nuk i ka fajet për ndërprerjet e energjisë elektrike me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës në këto ditë të ftohta.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaqi thotë se kapacitetet maksimale prodhuese të termocentraleve të Kosovës 800 megavatë orë energji elektrike dhe se që nga data 13 dhjetor, KEK-u është duke prodhuar me kapacitete të plota.

“Pra prodhimin e kemi 800 MW/h për rrjet dhe nevojat e brendshme që aktualisht është rreth 870 MW/h”, ka shkruar ai.

Thaqi thotë se ky është obligimi i korporatës që drejton dhe se atë po e përmbushin me përgjegjësi të lartë dhe me një angazhim maksimal të të gjithë punëtorëve.

“Sa i përket reduktimeve për të cilat po na drejtoni ankesa dhe pyetje nuk mund të japim asnjë përgjigje për shkak se nuk është përgjegjësi e jona”, ka shtuar Njazi Thaqi.