Thirrjet për ndërtimin e xhamisë pa leje çojnë në anarki, tha Hamiti

15.07.2017 18:16:55

Profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti, ka dalë kundër idesë së Kryemyftiut të Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka thënë se nëse Komuna s’lëshon leje atëherë Xhamia e Madhe do të ndërtohet pa leje.

“Thirrjet për ndërtimin e xhamisë pa leje janë thirrje për anarki dhe dhunë”, ka thënë Hamiti, në një përgjigje për Express.

Naim Tërnava, ripërdserit se qëndron prapa deklarimeve në RTK, se nëse Komuna e Prishtinës nuk lëshon leje atëherë Bashkësia Islame do të ndërtojë Xhaminë pa leje.

Këto veprime të Tërnavës, Xhabir Hamiti i sheh si problematike për një prijës fetar.

“Prandaj, nuk duhet të jenë pjesë e asnjë prijësi fetar. Kjo nuk i kontribuon zgjidhjes së problmeit, por e thellon edhe më shumë atë”, ka shtuar ai.

Disa anëtarë të shoqërisë civile, e disa banorë të lagjes Dardania, kanë nënshkruar një peticion, duke kërkuar të mos ndërtohet xhamia në afërsi të Postës së Kosovës.

“Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë”, thuhet ndër të tjera në peticion.

Sidoqoftë, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se nuk dëshiron të komentojë fare peticionin e disa anëtarëve të shoqërisë civile lidhur me kundërshtimin e tyre për projektin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Ka thënë se qëndron prapa deklarimeve që i ka dhënë në intervistën e fundit në RTK, ku ka thënë se xhamia do të ndërtohet pa leje nëse Komuna nuk e lëshon një dokument të tillë.

Udhëheqësi i Bashkësisë Islame kishte paralajmëruar ndërtimin pa leje të xhamisë nëse Komuna e Prishtinës vazhdon të vonohet në dhënien e lejes.

“Andaj, neve, shumë shpejt do ta vijë dita që ne të dalim dhe ta nisim Xhaminë pa leje. Unë do t’i organizojë jam unë. Do të marrë përgjegjësi. Nëse dikush duhet të arrestohet jam unë. Nëse dikush kërkon përgjegjësi jam unë. Nuk dëshiroj që të shkojnë punët deri këtu”, kishte paralajmëruar Tërnava.