“Tifozët Kuq e Zi” bojkotojnë kombëtaren

15.11.2016 19:02:47

Grupimi i tifozëve që mbështet prej më shumë se një dekade kombëtaren shqiptare “Tifozët Kuq e Zi” kanë vendosur që të bojkotojnë ndeshjet si vendas të kuqezinjve.

Sipas një deklarate të këtij tifo-grupi, arsyeja është e thjeshtë: terrori që përjetuan në sfidën ndaj Izraelit. “Tifozët Kuq e Zi” ftojnë “policinë me kallashnikov që tani e tutje të bëjnë tifozët në stadium”.

Gjithsesi, ata nuk do të braktisin lojtarët në ndeshjet në transfertë, pasi thonë se atje i respektojnë më shumë se në Shqipëri.

Deklarata e plotë e tifo-grupit “Tifozët Kuq e Zi”

Të nderuar tifozë,

Ajo që ndodhi në ndeshjen Shqipëri-Izrael, nuk kishte të bënte asgjë me lojën e bukur të futbollit. Atë ditë, tifozët shqiptarë prezent në stadium (dhe jo vetëm) ishin viktimë e terrorit shtetëror. Andaj, përshkrimi apo prezantimi i çfarëdo fakti, nuk mund ta përshkruan terrorin që tifozët shqiptarë përjetuan nga policia e shtetit shqiptar.

Ne jemi tifozë, që e duamë këtë Kombëtare dhe këtë Shqipëri. Për arsyen e lartcekur, Tifozët Kuq e Zi, janë të detyruar të marrin vendim për bojkotimin e të gjitha ndeshjeve të radhës brenda, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Lihtenshtajnin.
Kombëtaren do ta përcjellim vetëm në transferta, atje ku na respektojnë.

Me këtë rast, ftojmë policinë e shtetit shqiptar, që të pajisur me kallashnikov dhe me armë tjera, të bëjë tifozin në tribunë.

Për veprimet dhe format e organizimeve tona të radhës, do t’ju njoftojmë me kohë.

Me sinqeritet,
Tifozat Kuq e Zi