Tomë Gashi, as Albinin nuk e ke bindur me pallavrat e tua!

17.12.2016 20:18:50

Nga Rexhep Kastrati

Tomë Gashi para dy ditësh pat paralajmëruar se të premten do të bëhet publik raporti i ekspertëve të familjes, por të premten më shumë teatralizoi, sesa që pat paraqitje të raportit. Dhe në teatralizim e sipër, Toma nuk shpjegoi se përse nuk e bënë publik ekspertët e familjes atë raport, nëse është vërtet i tyre, por kishte marr përsipër këtë ta bënte vetë. Po ashtu, përveç ekspertëve të familjes, nuk qenë as prindërit e Astritit. Ishte thjesht një monodramë tragjik-komike, në të cilin gjithë monolgun e bëri vetë Toma. Por për  fat të keq, aq dobët e luajti rolin Toma, sa që nuk e bindi as Albinin. Dhe si për t’i treguar se nuk e ka bindur, Albini nxori Visarin, për të bërë paraqitjen që me gjasë i ishte besuar Tomës. Dhe kaq do të mjaftonte për të thënë se Toma është vetëm një aktor i dobët që nuk i luan rolet siç i thotë regjisori. Mirëpo, këtu ka edhe shumë çështje të tjera që duhet të theksohen. Dhe çështja e parë është ajo që ka të bëjë me mosparaqitjen e plotë të raportit, pasi që në medie dhe në portale kanë dalë vetëm disa foto, dhe faqja e parë dhe e fundit e raportit. Ku janë faqet tjera? A thua nuk i kanë publikuar mediet dhe portalet, apo nuk i kanë në dispozicion? Dhe sa është e bësueshme një paraqitje e këtillë ku mungojnë 12 faqe? Toma dhe sekta okulte e Albinit kanë pas kontestuar besueshmërinë e një raporti të plotë dhe të publikuar menjëherë nga të gjitha mediet dhe portalet, kurse presin ta besojnë të tjerët një raport që nuk është paraqitur i plotë? Çështja tjetër ka të bëjë me autenticitetin e raportit: a është ky raporti që e kanë hartuar dy ekspertët e familjes, apo është i manipuluar? Pastaj, derisa njëri ekspert është në Tiranë, kurse tjetri në Angli, a nuk ka qenë pengesë distanca për shqyrtimin e materialeve që i kanë vënë në dipsozicion po ato institucione të cilave ua konteston besueshmërinë e raportit të tyre. E raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka qenë i plotë dhe në detaje ka përshkruar gjendjen e brendshme dhe të jashtme të trupit të pajetë të Astritit, përaktësisht të gjitha lëndimet që janë vërejtur, kurse dy faqet e bëra publike nga mediet dhe portalet nuk japin asgjë tjetër pos të dhënave të personalit dhe konkluzionet. Si është ardhur deri te ato konkluzione? A ka një përshkrim tjetër të lëndimeve nga ato që ka përshkruar raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës? Nëse përshkrimi është i njëjtë, si është e mundur që dikush ta ketë sulmuar Astrititin dhe t’i ketë shkaktuar lëndime një milimetërshe? Nëse përshkrimi është i ndryshëm, çfarë është? Në kushtet kur të shkruara janë bërë publike faqja e parë dhe e 14, pra konkluzionet, atëherë edhe si përshkrim, edhe si konkluzione duhet t’i marrim po ato. Dhe të gjashtë konkluzionet në asnjë rast nuk japin për të kuptuar se vdekja Astritit ka qenë vrasje. Po të shihen hollë e hollë, përshkrimet që shihen në këtë konkluzione, janë thuajse të njëjta me ato që kanë dhënë ekspertët vendorë. Është kështu për faktin se edhe ekspertët vendorë thonë se vdekja e Astritit ka ardhur me mjet me konsistencë të fortë, pra sikurse që thuhet edhe te këto konkluzione. Dhe derisa vdekja ka ardhë me mjet me konsistencë të fortë, atëherë është e kuptueshme se është e dhunshme. Në këto konkluzione, ato që në raportin e ekspertëve vendorë kryesisht quhen lëndime të vetëshkaktuara, këtu quhen lëndime vetëmbrojtëse. Pra, konkluzionet e paraqitura këtu afërsisht në thelb janë thuajse të njëjta me ato që kanë paraqitur ekspertët vendorë. Në pikën tre të këtyre konkluzioneve përmendet goditja me përplasje, e që do të thotë se lëndimet që përmenden aty janë shkaktuar gjatë përplasjes që mund të ketë ardhur gjatë rrëzimit në tokë. Pra, deri këtu, vetëm Toma mund të thotë se vdekja e Astritit ka qenë vrasje. Por se nuk bëhet fjalë për vrasje, dëshmon edhe fakti se Toma gjatë tërë kohës ka thënë se në foto ka parë një peshqir të mbuluar me gjak, kurse peshqiri që duket në foto ka vetëm disa njolla gjaku, të cilat mund të jenë njolla nga prerjet në llërët e duarve dhe në gjuhë që i ka bërë vetë Astriti me mjete të rrojës (raporti i ekspertëve vendorë thotë se të prerat janë paralele, e që mund të jenë bërë me zhileta dy apo tri tehëshe). Është konstatim që del edhe nga këto konkluzione se vdekja është shkaktuar nga asfiksia, sikurse në raportin e ekspertëve vendorë. Dhe Toma ka ekspezuar një shishe plastike mjalti, që del të ketë qenë mjeti i fortë me të cilin i është shkaktuar asfiksia. T’ia ketë futur dikush me dhunë këtë shishe në gojë? E pabesueshme, sepse përveç prerjeve në gjuhë, nuk përmendet në asnjë rast se ka shenja të tjera dhune rreth gojës, kurse lëndimet në kokë, qafë dhe në krahë janë bërë me goditje përplasëse, pra gjatë përplasjes. Prandaj, në bazë të konkluzioneve të bëra publike del se 1. vdekja ka qenë e dhunshme nga një mjet me konststencë të fortë (shih edhe pikën 1 të konkluzioneve të raportit të ekspertëve vendorë), 2. lëndimet janë shkaktuar gjatë goditjes me përplasje. Në gjithë pikat e konkluzioneve të bëra publike askund nuk vërehet logjika se Astritin e kanë vrarë, ashtu siç ka thënë Toma, i cili interpretimin e tij, ka synuar ta paraqesë si konkluzion të eksertëve të familjes. Dhe ashtu siç thashë edhe në fillim, përpjekja për të sugjestionuar opinionin me foto dhe duke aktruar herë në një qoshe, e herë në qoshen tjetër të zyrës se tij, nuk e ka bindur as vetë Albinin, i cili e ka nxerrë Visarin për të bërë efekt më të madh dhe për të plotësuar apo përgënjështruar Tomën. Në këtë mënyrë ka përfunduar me turp edhe përpjekja e fundit që me ekspertë të familjes të bëjnë diversion mbi të vërtetën për vdekjen e Astritit. Nëse ky që ka paraqitur Toma është raporti i ekspertëve të familjes, gjë që ende vazhdoj të dyshoj, atëherë mund të thuhet se është zhgënjyes për Tomën. Këtë e forcon edhe heshtja e familjes së Astrit Deharit. Një raport i paralajmëruar me bujë, po përcillet me heshtje. Kurse ato që do të çojnë peshë për shkaqet që e çuan Astritin drejt vetëvrasjes, kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e takimeve të Astritit me prindërit e tij nga komisarët e Albinit, dhe me një deklaratë të një dëshmitari që e përmend Toma, dhe i cili paska thënë se Astriti kishte shprehur dy javë më përpara shqetësimin se mund t’i ndodhte diçka e keqe. Dhe kjo është pjesa që do ta trondisë sektën okulte të Albinit dhe jo vetëm atë.