Tottenham i bën një dush të ftohtë Realit, Napoli thyhet sërish nga City

01.11.2017 22:59:07

Fitore fantastike e Tottenham Hotspur përballë Realit të Madridit. Në mitikun “Wembley”, kampionët në fuqi të Europës u mposhtën me rezultatin e pastër 3-1 nga skuadra e Pochettinos që iu fal dygolëshit të Dele Allit dhe finalizimit të Eriksen. Me këtë fitore Tottenham zhyti në krizë Realin e Madridit ndërkohë që hodhi edhe një hap të sigurtë drejt vendit të parë në grupin H të Uefa Champions League pasi u ngjit në kuotën e 10 pikëve dhe do t’i mjaftonte një fitore ndaj Apoel Nicosias në shtëpi për ta mbyllur në krye ndërsa siguroi zyrtarisht kualifikimin në fazën tjetër. Golin e nderit për Los Blancos e realizoi Cristiano Ronaldo. Zhgënjeu sërish Borussia e Dortmundit që nuk shkoi më shumë se një barazim tjetër 1-1 ndaj qipriotëve të Apoel Nicosias, këtë herë në “Signal Iduna Park” ku golit të portugezit Guerriero iu përgjigj Kote.

Në grupin F, Napoli i Sarrit pësoi një tjetër humbje nga Manchester City këtë herë në “San Paolo” me shifrat 2-4 dhe është pothuajse i eliminuar nga kompeticioni, edhe pse shpresa vdes e fundit për të Kaltërit. Insigne dhe Jorginho shënuan për Napolin ndërsa Otamendi, Stones, Aguero dhe Sterling ishin autorët e golave për formacionin e Guardiolës që me këtë sukses preu edhe matematikisht biletën për në ruandin e 1/16-ave. Në ndeshjen tjetër të grupit Shakthar Donetsk hodhi një hap të madh drejt kualifikimit me fitoren 3-1 ndaj Feyenoord dhe tashmë i mjafton një pikë në dy ndeshje për të avancuar më tej. Në grupin E fitore e lehtë për Liverpoolin që vazhdon të kryesojë falë suksesit 3-0 ndaj Maribor ndërkohë që Sevilla u hakmorr ndaj Spartakut të Moskës pasi i mposhti rusët 2-1 në Spanjë. Në grupin G kishte festë për Porton që u ngjit në vendin e 2-të falë suksesit 3-1 ndaj Leipzig.