“Toyota”, Balla në Prokurori: Basha i njeh porositësit, të përballet me mua

10.07.2018 22:01:21

Taulant Balla është paraqitur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me çështjen gjyqësore me kreun demokrat Lulzim Basha. Balla ka paditur Bashën për shpifje në lidhje me çështjen e “Toyota”, ku kryedemokrati e akuzon për përfshirje.

Mirëpo, Basha nuk është paraqitur në këtë seancë gjyqësore, pasi ndodhet në SHBA.

“Lulzim Basha nuk erdhi sot, nuk është paraqitur, thonë që ka ikur në SHBA. Nëse kjo është e vërtetë dhe nuk është trilli i radhës për tu fshehur, ka një detyrim ligjor të japë informacion për aferën ruse 500 mijë dollarëshe.

Mezi pres të përballem me të. Nëse do kishte Prokuroria një arsye për të më pyetur edhe mua për këtë çështje jam gati, por personi i parë që duhet të pyetet është Lulzim Basha.

Apeli im është kundrejt Prokurorisë së Krimeve të rënda që të thirret Lulzim Xhelal Basha, siç ka bërë pohime në sallën e kuvendit, është një person që ka dijeni për ngjarjen

Lulzim Basha i njeh fare mirë ata dhe nuk është rastësi gjendja në zyrën e tij të një prej vëllezërve. Kam dyshimet e mia që Basha i njeh dhe dy vëllezërit e tij”, deklaroi Balla.