“Toyota” me euro, Balla i përgjigjet Bashës: Të pres në gjykatë

29.06.2018 20:44:46

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla e akuzon sërish Lulzim Bashën për shpifje dhe si të lidhur me personat e përfshirë në makinat “Toyota Yaris”, të bllokuara në portin e Durrësit, me 3.4 milionë euro.

“Pas shpifjeve dhe ofendimeve të reja të Lulzim Bashës, tanimë drejtuar gjithë grupit parlamentar, ndërkohë që jemi të bindur se afera e eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht pasi të kapen autorët në kërkim (me të cilët lidhja e PD është antike ndërsa e Lulzim Bashës me ta është së paku fotografike), po vlerësojmë çuarjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda të një padie të tretë, në tre ditë, për gojën e tij të përdale totalisht pas vendimit të Këshillit Europian për datën e negociatave”, shprehet Balla.

Ai shton se, është përditë e më e qartë se përfshirja në debatin e baltës e të llumit me të e me partinë e tij, thjesht na bën pis edhe ne duke lodhur e mërzitur shqiptarët.

Balla shton se mazhoranca do të merret me opoziten reale që është në rrjetet sociale e mes grupeve të interesit që presin më shumë nga ne dhe kërkojnë më shumë prej nesh.

“Ndërsa me Lulzim Bashën dhe esadistët e tij ne do të ndjekim gjithnjë e më shumë rrugën gjyqësore të përballjes me shpifjet e ndyra e më gënjeshtrat ofenduese të tyre. Ata tanimë duhet të mësojmë të sjellin prova para publikut ose të turpërohen siç e meritojnë në sallat e gjyqeve”, thotë në mbyllje Taulant Balla.