Tragjedia në Kroaci, opozita kërkon nga presidentja të shpallë ditë zie

25.07.2021 13:30:12

Dhjetë persona kanë humbur jetën deri më tash nga aksidenti tragjik që ndodhi sot në Kroaci, ku u aksidentua një autobus i linjës Frankfurt-Prishtinë.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, kanë reaguar krerët e shtetit si nga Kosova ashtu edhe nga Kroacia.

Ngushëllime familjarëve të viktimave kanë shprehur edhe shefat e Grupeve Parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se vdekja tragjike e 10 qytetarëve të Kosovës që po vinin nga Gjermania në vendlindje është një tragjedi e rëndë, ndërsa ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që ditën e hënë ta shpall ditë zie për Kosovën.

“Lajmi tragjik nga Kroacia për aksidentin e autobusit me mërgimtarët tanë në rrugën për vendlindje na trishtoi pa masë. Në këto orë të rënda për familjet e prekura të bashkatdhetarëve tanë, i bashkohemi dhimbjes për më të dashurit e tyre që humbën jetën. Lutjet tona janë për të gjitha familjet për përballimin e dhimbjes që kanë humbur më të dashurit, ndërsa për të gjithë të lënduarit, lutemi për shërimin sa më të shpejt të tyre. Ftoj autoritetet e Shtetit të Kosovës që tu qëndrojnë pranë familjeve të prekura nga kjo tragjedi, ndërsa presidentja e Kosovës do të duhej që ditën e nesërme ta shpall ditë zie për Kosovën”, ka shkruar Tahiri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka shprehur ngushëllime për të gjithë.

“Në këto momente jam me familjet e viktimave dhe lutem për pasagjerët e lënduar që të shërohen sa më shpejt. Ngushëllime për të gjithë”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe ministri kroat i Shëndetësisë, ka thënë se në spitalin rajonal 15 persona janë në gjendje të rëndë në mesin e tyre edhe një vajzë e mitur