Tre liderët në udhtime jashtë vendit-Thaçi,Haradinaj e Veseli shkelin ligjin

Tre liderët në udhtime jashtë vendit-Thaçi,Haradinaj e Veseli shkelin ligjin

07.02.2018 00:59:36

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ku do të marrin pjesë në “Lutjet të Mëngjesit”, ceremoni kjo që do të mbahet të mërkurën.

Përveç presidentit dhe kryeministrit, edhe kryeparlamentari Kadri Veseli udhëtoi sot jashtë vendit për të realizuar një vizitë zyrtare në Kroaci, ku do të takojë homologun e tij kroat, kryeparlamentarin Gordan Jandrokoviq.

Me daljen jashtë vendit të tre liderëve më të lartë të shtetit, Kosova ka mbetur sot pa asnjë prej krerëve të tri institucioneve kryesore në vend. Por, dalja jashtë vendit e Thaçit, Haradinajt dhe Veselit paraqet shkelje të ligjit.

Me këto udhëtime ata kanë bërë shkelje të Ligjit mbi Protokolin e Shtetit, i cili parasheh që tre krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, bëhet e ditur në Ligjin për Protokollin e Shtetit.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Me shkeljen e këtij ligji, do të thotë se në rast të ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër pasi kështu parashikohet me ligj