Tre mesazhe të rëndësishme që Ramushi na i përcolli pas takimit me kancelaren Merkel

06.06.2019 20:52:50

Nga Rexhep Kastrati

Ramush Haradinaj, në Gjermani u prit afërsisht si u pat pritur Isa Mustafa kur ishte kryeministër!

Thelbi nuk është si u prit Ramushi, apo Isa, por mesazhet që Ramushi na i dërgoi nga Gjermania.

Mesazhi i parë dhe kryesor ishte se kishte një qëndrim që si të tillë nuk është se nuk e kemi dëgjuar apo lexuar më parë, por që ka fituar peshë për shkak se është mesazh në kontekst të takimit me kancelaren Merkel.

Bëhet fjalë për mesazhin që ka të bëjë.me nevojën për njohjen e Kosovës në kufijtë ekzistues.

Ky mesazh mund të interpretohet gjithqysh, por duke marr për bazë faktin se njohja në kufijtë ekzistues është përjashtues për ndryshim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë interpretimi më i saktë është për mundësinë që çdo zgjidhje tjetër është e mundshme, pra edhe zgjidhja maksimaliste: një Asociacion më kompetenca të plota. Kjo do të thotë një “Republika Srpsks”.

Kjo lidhet edhe me faktin se tashmë ka një Marrëveshje Ndërkombëtare për normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar më 19 prill 2013 dhe e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në 27 qershor të atij viti, dhe ka edhe një Marrëveshje për Asociacionin,e arritur më 25 gusht 2015, që buron nga Marrëveshja e parë.

Mesazhi tjetër është se në pamundësi të arritjes së një “vendimi të.madh”, pra të një Marrëveshje përfundimtare, të arrihet një marrëveshje kornizë që do të ravijëzohej gjatë viteve.

Kjo marrëveshje kornizë, që si mundësi përmendet për herë të parë, mund të jetë një mundësi e ndërmjeme që do të krijonte një modus vogël si derisa të mund të krijohen rrethanat për një Marrëveshje përfundimtare, më ç’rast edhe Serbia do ta kushte më lehtë që ta njihte pavarësinë, e edhe Kosova të pranonte një “Republika Srpska”.

Si marrëveshjen kornizë, ashtu edhe marrëveshjen përfundimtare, palët do ta arrinin nëpërmjet një procesi më implikim të SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, e pashmangshëm edhe të Rusisë, ndoshta edhe të Britanisë së Madhe.

Dhe kjo do të thotë se bëhet fjalë për një.format të ri të negociatave nga shatle diplomaci, diplomacinë e samiteve si në Berlin e Paris, e deri te një konferencë ndërkombëtare si e Dejtonit.

Në fakt, kaherë është përmendur mundësia që negociatat Kosovë – Serbi të barten në një konferencë ndërkombëtare!

Dhe Ramush Haradinaj, në fakt përfaqëson profili i politikanit që me populizmin e tij, me taksën dhe me gjithë sjelljen e tij me të cilat është heroizuar dhe që duket si triumfalist përballë qëndrimit për ndryshim kufijsh, kurse zgjidhjet tjera që nuk prekin kufijtë e jashtëm, të konsiderohet sukses.