Trendafilova: Ende nuk ka aktakuza të ngritura nga Gjykata Speciale

23.11.2017 16:09:28

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në vizitën e saj të parë në Kosovë, është zotuar se kjo gjykatë do të ndajë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe të pavarur.

Ajo ka konfirmuar se ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i demantuar njoftimet që jepen kohë pas kohe në media dhe opinion.

Në një adresim të saj para përfaqësuesve të shoqërisë civile, ajo ka dhënë detaje lidhur me funksionimin e kësaj gjykate, duke thënë se arsyeja e vizitës së saj në Kosovë është që të arrihet mirëkuptimi dhe besimi lidhur me punën e gjykatës.

“Dhomat e Specializuara janë themeluar për të adresuar pretendimet për krimet kundër njerëzimit dhe po ashtu edhe krimet e luftës, duke siguruar gjykime të drejta të dhe të paanshme”, ka thënë ajo.

“Mandati i Dhomave është që të ndiqen dhe të gjykohen rastet kundër individëve dhe jo kundër organizatave apo entiteteve”, ka nënvizuar Trendafilova.

Ajo ka shtuar se Dhomat e Specializuara do t’i kushtojnë rëndësi të veçantë mbrojtjes së të drejtave të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve të mbrojtur.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova po qëndron ën Kosovë me Administratoren e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon.

E njohur me emrin Gjykata Speciale për krime lufte, mandati i saj përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Selia e kësaj Gjykate është në Hagë, ku Mbretëria e Holandës ka ratifikuar Marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Nga data 6 korrik, është konfirmuar se këto Dhoma mund të procedojnë edhe me arrestimet dhe gjykimet eventuale.

Gjykata Speciale ka nxitur debate të ashpra në Kosovë. Përderisa një pjesë e spektrit politik e konsideron atë të padrejtë dhe të njëanshme, pasi që do të hetojë vetëm krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, pjesa tjetër e spektrit që ka mbështetur edhe ndryshimet ligjore e kushtetuese për punën e kësaj Gjykate, ka vlerësuar se me gjykimet që priten, nuk atakohet lufta e UÇK-së por individët.