Tritan Shehu: Rama vijon “shkallmimin” e shëndetësisë, centralizon sistemin

07.01.2018 12:12:17

Në asamblenë e Partisë Socialiste, mbajtur një ditë më parë, kryeministri Edi Rama prezantoi një risi në mënyrën se si do të përzgjidhen infermierët në shëndetësi.

Ajo është komentuar sot me ironi dhe akuza të forta nga deputeti demokrat Tritan Shehu, që e konsideron një ide të rrezikshme dhe krejtësisht centraliste.

“Kryeministri vazhdon ta “shkallmoje” me tej shëndetësinë; edhe dje ne asamblenë e PS! Z.Rama hodhi tymnajën e radhës, lëshoi ne treg risinë “mrekullibërëse”: infermieret e te gjithë institucioneve do te përzgjidhen me një “seleksionim” qendror. Harroi…, shëndetësinë falas”. Ide utopike e minimaliste, produkt i një vizioni ekstremisht centralist , i rrezikshëm e bllokues ky për te gjithë sistemin”, shprehet Shehu.

Shehu me ironi deklaron se kemi të bëjmë me një risi “mrekullibërëse”. Ai thekson se kryeministrit Rama nuk i takon të shtrijë duart mbi formatin e emërimeve në shëndetësi.

“Nuk është detyra e një Kryeministri te një vendi me ekonomi tregu te përfshihet ne këtë forme edhe ne emërimet e infermiereve ne vend, duke e përdorur si zgjidhje. Detyra e tij është e kundërta: te paraqesë politika stimuluese e decentralizuese te sistemit për daljen nga varfëria ku e ka futur sot, duke krijuar se pari një sistem financimi solid e autonom, me politika reale sociale”, thotë deputeti i PD.

Më tej, ish-ministri i Shëndetësisë nënvizon se Rama ka për detyrë të rrisë cilësinë e shërbimeve dhe me politika stimuluese t’i hap rrugë decentralizimit të këtij sektori.

“Detyra e tij është te decentralizoje spitalet drejt konceptit “spitali ndërmarrje”, te shtyje sistemin parësor me larg se decentralizimi drejt “profesionistit te lire”, te integroje institucionet private me sistemin publik, te flasë për “tregun e shëndetit”, rritjen e numrit te shtretërve, te mjekeve (një “specie ne zhdukje” kjo), pra për përmirësimin e cilësisë se shërbimit, qe sot e ka çuar te fundit ne Evrope”

Sipas deputetit demokrat, “fatkeqësisht Rama dhe Rilindja në tërësi, vazhdon të bëjnë të kundërtën, duke na shtyrë drejt kolapsit të plotë të sistemit shëndetësor.

Ai në fund thekson se shëndetësia po kthehet në një hapësirë boshe, “me vetëm disa ‘koncesione’ qindra milionëshe Euro përqark”.