Trondit OKB: Bota do përballet me një uri të përmasave biblike, ja vendet më të rrezikuara

22.04.2020 16:53:47

Për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë Covid-19 Organizata e Kombeve të Bashkuara mendon numri i të uriturve në botë pritet të dyfishohet. OKB flet praktikisht për “uri të përmasave biblike”. Numri i atyre që nuk mund të hanë ushqim të mjaftueshëm për të jetuar shëndetshëm ose i ayre që vuajnë nga uria, mund të shkojë në vitin 2020 deri në 265 milion vetë. Organizatat humanitare paralajmërojnë sidomos për përkeqësimin e situatës në Afrikën Perëndimore, ku ka konflikte të shumta. Kriza e koronavirusit  është një goditje e fortë ndaj mjaft vendeve ku gjendja e furnizimit me ushqime është e brishtë,” thanë organizata joqeveritare si Oxfam, Care e të tjera.

Sipas tyre rezervat e të korrave të mëparshme po përfundojnë dhe, për shkak të kufizimeve të COVID 19 në shumë vende, po rriten çmimet dhe disa ushqime kryesore nuk janë në dispozicion. Po ashtu në fillim të sezonit të ri të mbjelljeve bujqit do të kenë gjithashtu vështirësi për të blerë fara dhe plehra me cilësi të lartë. Popullsitë nomade do të ndeshin në pengesa për shtegtimet e tyre. Dhe në vende si Burkina Faso ose Niger, ndihma humanitare nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat për ushqim të mijëra njerëzve të zhvendosur, thotë DW.