Trump dhe May: Ekziston mundësia që Moska të mos mbështesë Assadin

11.04.2017 13:41:50

Ekziston një mundësi për të bindur Moskën që t’i japë fund mbështetjes ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al Assad, vlerësuan të hënën në një bisedë telefonike kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti amerikan, Donald Trump.

“Kryeministrja dhe presidenti arritën në përfundimin se ekziston një mundësi për të nxitur Rusinë se aleanca e saj me Assadin nuk është më në interesin e saj strategjik”, deklaroi një zëdhënës i May, transmeton AFP.

Kjo bisedë u zhvillua pas sulmit kimik të dyshuar të regjimit të Damaskut në rajonin e Khan Cheikhoun, ku u vranë 87 persona nga popullsia civile dhe ndaj të cilës SHBA-ja iu përgjigj duke goditur me predha “tomahawk” bazën ajrore të Al-Chaayrate, në provincën qendrore të Homs.